Një shpërthim i kontrolluar është kryer ditën e sotme nga forcat xheniere pranë hotelit në pronësi të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1, në afërsi të gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambient është konstatuar një sasi e dyshimtë lënde plasëse.

Sasia e eksplozivit dyshohet se ishte lidhur me telefon celular, për t’u aktivizuar në distancë

Deri tani nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e mjetit shpërthyes, ndërsa autoritetet kanë nisur këqyrjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e autorit apo autorëve të mundshëm.

Kujtojmë se Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe vartësit e tij, i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re