Maks Velo nuk jeton më që të shihte atë që më së shumti urrente: kullat në Tiranë, jo si kulla në vetëvete, por si atentate urbane ndaj një lloj trashëgimie të lënë nga koha e Italisë, që sipas tij u respektua dhe në ndërtimet komuniste, sidomos në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në këtë bulevard, pas lufte u ndërtua ish-Komiteti Qendror, më vonë Pallati i Kongreseve dhe Piramida, pas 90-ës dhe Hotel Rogner, të cilat respektuan lartësinë e trashëguar të erës italiane me Hotel Dajtin dhe Kryeministrinë, të cilat nuk duhej të ishin mbi Korpusin universitar, lartësia e të cilit duhej të ishte kulmore si madhështi e estetikë urbane.

Ndaj, kritika e parë e Maks Velos ishte për këto dy kulla të xhamta te Vëllezërit Frashëri, ndërtuar në fund të viteve 90 dhe fillim të viteve ‘2000, të cilat e prishnin këtë rend, ku në perspektivë e shndërroin korpusin në minor ndaj tyre.

Tashmë, këtë fat po e ka Hotel Tirana, Kulla e Sahatit e minarja e Et’hem Beut, të cilat po kalojnë në plan inferior ndaj superioritetit me arrogancë arkitekturore të kullave në ndërtim.

Tej ceneve karakteriale që kishte, Maks Velo ishte i pari dhe ndër të vetmit që iku me brengën e shpëfytyrimit urban të Tiranës në emër të modernes. Në të tilla raste, thuhet se ai po rrotullohet në varr për atë se ç’po ndodh në jetën nga u morr prej vdekjes. /tesheshi.com/      

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re