Vijon të jetë tepër problematike situata në zonën e fushë-mbetjeve në Mbrostar, teksa retë e tymit kanë mbuluar prej tre ditësh tashmë pothuajse të gjitha qytetin e Fierit.

Në redaksinë e ‘Fax News’ kanë ardhur disa pamje me dron nga sipër fushës së mbetjeve, ku shihet se sipërfaqja që është nën flakë, apo që është djegur tashmë është tepër e madhe, ndërsa vijon pa shkëputje puna e makinerive të rënda dhe zjarrfikësve të të gjithë qarkut, për vënien nën kontroll të flakëve dhe normalizimin e situatës.

Retë e tymit kanë mbuluar të gjithë qytetin, kjo për shkak se ky zjarr ka tre ditë tashmë që ka nisur, dhe duke qenë se era dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve, ishte pothuajse e pamundur që kjo situatë të shmangej, pavarësisht edhe ndërhyrjes së menjëhershme nga ana e autoriteteve përkatëse.

Problemi më i madh është ai i qytetarëve, jo vetëm të zonës përreth, por edhe të të gjithë qytetit të Fierit, pasi tymi ka shkaktuar një situatë aspak të mirë, ku dëmet në shëndet janë të konsiderueshme, duke pasur parasysh se tashmë po thithin tymin prej tre ditësh.

Ndërkohë, në lidhje me këtë problematikë, mësohet se janë vënë në dispozicion disa bote, të cilat po kryejnë dezinfektimin e rrugëve kryesore të qytetit, si pasojë e ndotjes që ka përfshirë këto dy ditët e fundit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re