Një zjarr i rënë në një banesë kolektive në qytetin e Korçës, ka rrezikuar jetën e dy familjeve, banesat e të cilave u përfshinë nga flakët.

 

Policia njoftoi se zjarri ka rënë rreth orës 23:13,  në lagjen nr 12, rruga “Vasil Ternova”, në një godinë 4-katëshe.

 

Godina disi e amortizuar dhe me shtesa banimi në dy katet e sipërme, u përfshi nga flakët në kushtet e një moti me erë thanë dëshmimtarë të ngjarjes.

 

Zjarri u përhap menjëherë tek dy banesa të ndërtuara me material të lehtë në katin e katërt.

 

Paniku përfshiu banorët e kësaj ndërtese kolektive, jeta e të cilëve u shpëtua vetëm nga ndërhyrja në kohë e mjeteve zjarrfikse.

 

Tre mjete të tilla, si dhe punonjës të zjarrfikses e forca policie në ndihmë të tyre bënë të mundur evakuimin e banorëve.

 

Nuk pati lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale me djegien e dy banesave të katit të sipërm dhe pjesërisht të katit të tretë.

 

Nga hetimet e policisë në vendin e ngjarjes, dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e ndonjë pakujdesie të vetë banorëve.

 

Rënia e zjarrit reth mesnatës dhe përhapja e shpejtë e tij në banesat me materiale të lehta ndërtimi, mendohet se kanë qënë aksidentale.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re