Ura “Key Bridge” pothuajse tre kilometra e gjatë në Baltimore, në shtetin amerikan të Maryland-it, u shemb gjatë natës pasi një anije mallrash me kontejnerë e goditi atë, raportoi Reuters, duke cituar Fox Baltimore.

Shkalla e dëmtimit të urës nuk dihet menjëherë, shkruan New York Times.

“Të gjitha korsitë janë të mbyllura në të dy drejtimet për shkak të incidentit në urën kryesore I-695. Trafiku është duke u anashkaluar,” tha Departamenti i Transportit në Maryland në një njoftim në Platformën X.

Operacioni i shpëtimit në vazhdim e sipër

Siç raporton BBC, një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit të Baltimores thotë se ura u shemb në lumin Patapsco pasi u godit nga një anije në orët e para të mëngjesit.

Një operacion shpëtimi me shumë agjenci është duke u zhvilluar.

Shefi Kevin Cartwright, drejtor i komunikimit për Departamentin e Zjarrfikësve të Qytetit Baltimore, tha se “deri në shtatë persona dhe disa automjete” hynë në lumë.

Për momentin nuk ka asnjë informacion zyrtar për viktima të mundshme.

Ura e Francis Scott Key, më e madhja në zonën e Baltimores, është ndërtuar në vitin 1977, është 2.6 km e gjatë dhe vlerësohet të kalohet nga 11.5 milionë automjete në vit me një kosto ndërtimi prej 110 milionë dollarësh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re