Shtatë të vdekur është numri tragjik i motit të keq që ka përfshirë që prej ditës së djeshme rajonin Marche të Italisë qendrore.

Rrugët u kthyen në lumenj në Ankona dhe sipas agjencisë ANSA, një person vdiq kur makina e tij u përfshi nga ujërat në Betolele, 4 të tjerë në Ostra, një në Trecastelli dhe një në Barbara.

Tre persona janë raportuar gjithashtu të zhdukur. Mes tyre një fëmijë. Sipas ANSA-s, fëmija ishte me nënën e tij në makinë, kur ajo u përfshi nga ujërat e vrullshme. Nëna shpëtoi, por fëmija jo.

Në fshatin e përmbytur Candiano uji ka mbërritur në katin e parë të banesave, ndërsa në zonën e gjerë është ndërprerë furnizimi me energji elektrike dhe lidhjet telefonike.

Në provincën e Ankonës, “400 milimetra shi ranë në dy ose tre orë”, tha Luigi d’Angelo, kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile.

Videot e postuara në rrjetet sociale janë tregues i shkatërrimeve të shkaktuara nga stuhitë e forta.

Policia, Mbrojtja Civile dhe zjarrfikësja janë mobilizuar për të përballuar situatën.

Kjo që po ndodh në Itali të kujton Pakistanin, ku rreshjet kanë shkaktuar një katastrofë të vërtetë, duke e zhytur pjesën më të madhe të këtij vendi nën ujë. //

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re