Një aksident tragjik ndodhi këtë të hënë në orët e drekës, ku një 36 vjeçar goditi me makinën e tij të tipit “Opel”, një grua në moshën 50 vjeçare.

Pas aksidentit, i riu nuk ndaloi, por përkundrazi tentoi t’i fshihej autoriteteve. Pas disa minuash kërkimi, policia arrestoi 36 vjeçarin, i cili kishte fshehur makinën në orvatje për t’i shpëtuar autoriteteve.

Gruaja gjeti vdekjen. Nga pamjet e publikuara, dallohet se i riu po udhëtonte me shpejtësi të lartë, aq sa e ka patur të pamundur të frenojë në kohë.

Shpejtësia vijon të marrë jetë të pafajshme në Shqipëri. E duket se numri i lartë i aksidenteve me pasojë jetët e njerëzve, nuk po mjafton për të ndërgjegjësuar, veçanërisht të rinjtë.

Më poshtë video e aksidentit dhe njoftimi i policisë mbi rastin:

Më datë 31.01.2022, rreth orës 14:00, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, shtetasi E. M., duke drejtuar automjetin tip ‘Opel’, ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasen L. B., rreth 50 vjeçe, dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i aksidentit.

Falë ndjekjes nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, Policisë Rrugore të DVP Elbasan, Forcave të Posaçme ‘Shqiponja’ dhe Njësisë Operacionale është bërë e mundur kapja e drejtuesit të mjetit, shtetasit E. M., rreth 36 vjeç, banues në fshatin Katundi i Ri, Elbasan, i cili ndodhet në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Mjeti tip ‘Opel’ është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re