Pas Europës e Kinës, me përmbytje masive është përballur edhe India. Deri më tani në median e huaj flitet për të paktën 115 persona që kanë gjetur vdekjen, ndërsa afro 90 mijë vetë janë evakuuar.

Zonat më të goditura i përkasin pjesës bregut perëndimor të Indisë, teksa reshjet e dendura kanë sjellë përmbytje masive, rrëshqitje dherash e shkatërrimin e të paktën 1 mijë shtëpive.

REUTERS/Stringer

“Njerëzit kanë humbur gjithçka”- ka thënë Ministri i Shëndetësisë atje, duke i cilësuar reshjet e ditëve të fundit si ndër më të furishmet gjatë 50 viteve të fundit.

Dhe pamjet që përcjellin mediat e huaja e konfirmojnë kollaj shkatërrimin masiv që kanë sjellë përmbytjet.

Mumbai mbetet një ndër zonat më të goditura, atje ku janë shënuar dhe shumica e viktimave. Në disa zona reshjet e shiut kanë regjistruar rekorde, ku brenda një afati 24 orësh kanë rënë  60 cm shi.

Në pjesën jugore të Mumbait, niveli i ujit arriti deri në 6 metra, duke marrë përpara vetes rrugës e shtëpitë e njerëzve.

E mes lajmeve për humbjen e të paktën 115 personave, kishte dhe momente shprese, ku ekipet e shpëtimit kanë mundur të largojnë nga rreziku fëmijë, gra apo të moshuar që i kishin humbur krejtësisht shpresat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re