Dhjetëra mijëra njerëz në Stamboll iu bashkuan Mitingut të Madh për Palestinën të shtunën në aeroportin Ataturk.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili iu drejtua turmës, i bëri thirrje kombit të marrë pjesë në tubim për t’i “treguar botës vëllazërinë midis turqve dhe palestinezëve”.

“Ndërsa qëndrojmë me ata që na shikojnë me zemër dhe sy, ne qëndrojmë me Gazën sot. Kemi derdhur lot për shumë zona, nga Krimea në Karabakh, nga Bosnja në Kirkuk, nga Palestina në Turkestan, nga Afganistani në Çeçeni. Këtu, ne jo vetëm që dënojmë masakrat në Gaza, por mbrojmë pavarësinë dhe të ardhmen tonë”, tha Erdogan, duke shtuar:

“Izraeli u mërzit shumë kur thashë se Hamasi nuk është një organizatë terroriste. Ju e dinit që unë do ta thosha këtë. Atë që dimë e thamë qartë. Perëndimi i ka borxh Izraelit, por Turqia nuk ka borxh ndaj tyre. Prandaj ne flasim kështu, rehat. Erdogan flet kështu, se Turqia nuk ju ka borxh asgjë!”.

“Ata që derdhin lot krokodili për civilët e vrarë në luftën ukrainas-ruse, po shikojnë në heshtje vdekjen e mijëra fëmijëve të pafajshëm në Gaza. Izraeli ka 22 ditë që kryen krime lufte. Izrael, ne do të të shpallim kriminel lufte, ne po punojmë për këtë. Ata (Perëndimi) dinë të vrasin. Ata shfarosën në masë hebrenjtë në dhomat e gazit, fshinë qytetet nga faqja e dheut me njerëzit e tyre me bomba atomike“, tha ai.

Disa prej të pranishmëve mbanin edhe shirita në kokë me fjalët: “Ne jemi të gjithë palestinezë”, “Të japim fund gjenocidit, le të jetojnë fëmijët” dhe “Bëhu zëri i fëmijëve palestinezë”.

I pranishëm ishte dhe ish-këngëtari Cat Stivens, i njohur si Yusuf Islam.

 “Gjatë rrethimit të Sarajevës bashkësia ndërkombëtare ka pritur katër vjet, sa do të presin tani?!”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re