Zjarri i dytë më i madh në historinë e New Mexico-s mund të përkeqësohet edhe më shumë këtë fundjavë pasi kontrolli i tij pengohet nga era dhe thatësira në atë shtet të SHBA.

I ashtuquajturi “Hermits Peak Fire” ka më shumë se një muaj që digjet, pasi zjarri ka përfshirë një zonë më të madhe se qyteti i Çikagos. Shumë familje mbetën të pastrehë, dhe mijëra u evakuuan, shkruan BBC.

Pritet që era dhe temperaturat e larta pothuajse rekord dhe lagështia e ulët të nxisin më tej përhapjen e zjarrit.

Shërbimi Kombëtar i Motit në Albuquerque paralajmëroi se gjatë fundjavës priten kushte me erë dhe thatësi që do të “përkeqësojnë situatën tonë të keqe”.

Presidenti Biden shpalli një “fatkeqësi të madhe” në New Mexico këtë javë dhe dha mundësinë e përdorimit të burimeve federale, duke përfshirë ndihmën financiare për banorët e atyre zonave.

Restorantet dhe dyqanet në Las Vegas, një qytet me 13,000 banorë, janë mbyllur dhe të njëjtin fat e ndajnë edhe shkollat.

“Është fjalë për fjalë si të jetosh nën një re të errët. Është shqetësuese,” tha Liz Birmingham, një banore e qytetit.

“Ka pasiguri dhe frikë se si erërat do të ndikojnë në zjarrin nga dita në ditë. Kur njerëzit evakuohen nga një zonë, ata nuk mund të kthehen, ndaj dhe janë thjesht të shqetësuar,” tha Presidenti i Fondacionit Komunitar të Las Vegas, Elmo Baca.

Zjarri besohet të ketë filluar më 6 prill dhe pjesërisht lidhet me një zjarr parandalues ​​të nisur nga Shërbimi Pyjor i SHBA-së për të reduktuar vegjetacionin e ndezshëm. Por më pas zjarri u bashkua me një tjetër zjarr pyjor.

Incidenca e zjarreve të mëdha në pyje është rritur në mënyrë dramatike në dekadat e fundit.

Krahasuar me vitet 1970, zjarret më të mëdha se 40 kilometra katrorë tani janë shtatë herë më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara perëndimore, sipas organizatës së pavarur të shkencëtarëve dhe gazetarëve Climate Central.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re