Një vilë dykatëshe e marrë me qira në zonën e plazhit në Durrës është zbuluar si qendër e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit, në kuadër të operacionit të koduar “Storm 4”, zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Në pranga u vunë 4 shtetase kineze, ndërsa një shtetase angleze u shpall në kërkim si bashkëorganizatore.
Policia ka publikuar edhe pamjet, ku ushtrohej aktiviteti, ndërsa shihen edhe paratë e fshehur në jastëk.
Ndër të arrestuarat është shtetasja F. W., 46 vjeçe, e dyshuar si organizatore e rrjetit të prostitucionit. Bashkë me të, u vunë në pranga edhe L. M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe dhe Zh. H., 47 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Po ashtu, janë proceduar në gjendje të lirë edhe 10 persona të tjerë – 2 shtetase kineze dhe 8 shtetas shqiptarë – për përfshirje në këtë veprimtari të paligjshme.
Shtetasja K. P., 46 vjeçe, me banim në Mbretërinë e Bashkuar, dyshohet se kishte marrë me qira vilën dhe e kishte përshtatur për ushtrim prostitucioni, në bashkëpunim me shtetasen kineze. Ajo është shpallur në kërkim.
Njoftimi:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Storm 4″.
Kishin marrë me qira një vilë dykatëshe dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit, vihen në pranga 4 shtetase kineze, njëra prej tyre organizatore e kësaj veprimtarie.
Shpallet në kërkim organizatorja tjetër e kësaj veprimtarie, shtetase angleze.
Procedohen penalisht 10 shtetas, 2 prej tyre shtetase kineze dhe 8 shtetas shqiptarë.
Sekuestrohen shuma parash, celularë dhe karta banke.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Përshtatatja e ambienteve për prostitucion”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin e koduar “Storm 4”.
Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u bë arrestimi i shtetases kineze F. W., 46 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, e cila dyshohet se ishte drejtuese e dhe organizatore e këtij rrjeti prostitucioni.
Gjithashtu u arrestuan 3 shtetase të tjera kineze L. M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe dhe Zh. H., 47 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, 2 shtetase kineze dhe 8 shtetas shqiptarë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasja K. P., 46 vjeçe, banuese në Mbretërinë e Bashkuar, e dyshuar për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash në euro dhe dollarë, disa karta banke dhe karta telefoni etj.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi rezultoi se shtetaset kineze kishin përshtatur një vilë dykatëshe, të marrë me qira, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nga shtetasja angleze, në bashkëpunim me 46-vjeçaren kineze dhe e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari që dyshohet se qendrën e ka jashtë vendit, nga ku kryheshin telefonatat nëpërmjet call centerit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.