Një zjarr masiv ka përfshirë një zonë të pyllëzuar në një zonë të njohur si Ura e Drojës, në Mamurras. Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka djegur sipërfaqe të mëdha të bimësisë e pemëve atje.

Flakët ndodhen mjaft pranë disa prej banesave. Një prej banorëve atje tregoi për median se rrezikohen të paktën 5 banesa nga flakët. Për shkak të terrenit, zjarrfikësit kanë hasur vështirësi në shuarjen e flakëve. Vetë banori mendon se zjarri ka ardhur nga dora e njeriut.

“Kanë ardhur dy zjarrfikëse. Kanë ndejtur një kohë të caktuar. Nuk kanë pasur mundësi me u ngjitur. Rrezikohen më shumë se 5 banesa. Nata mund të jetë e rrezikshme sepse pylli është i lidhur direkt me banesat. Këtu janë më shumë invalidë. Nëse zjarri nuk shuhet të ketë një roje ose të vijë zjarrfikësja të rrijë afër shtëpive.

Zjarri ka rënë rreth orës 12:00 të ditës së sotme. Mendoj se është i qëllimshëm. Nuk është zjarr që ka ardhur nga perëndia. Ka ardh nga robi. A ka qenë me cigare a me zjarrvënie nuk mund ta përcaktoj.”-tha burri.

(Video u publikua nga A2)

Përgjatë gjithë javës një sërë vatrash zjarri kanë përfshirë vendin. Më e rrezikshmja mbetet ajo që ra në Karaburun të Vlorës, teksa flakët atje ende nuk janë shuar plotësisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re