Nazime Buci ka përfunduar në spital me shenja të dukshme dhune pasi dyshohet se u godit me bastun nga nusja e saj, Elmira Buci.
82-vjeçarja, në imazhet e plublikuara nga shtrati i spitalit, shihet me ballin e fashuar dhe me sytë e mavijosur.
Djali i të dhunuarës, 50-vjeçari Ylli Buci, pasi erdhi nga puna dhe zbuloi se e ëma ishte dhunuar, raportohet se nuk e ka dërguar në spital dhe as nuk lajmëroi policinë për të dënoncuar rastin, por kritikoi të emën duke i thënë se “Pse ke bërë fjalë me nusen time…”.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur me datën 10 Shtator, por u denoncua në polici vetëm një ditë më pas, kur e moshuara doli jashtë shtëpisë dhe fqinjët e panë të dhunuar.
Ata kanë telefonuar uniformat blu dhe ambulancën, ndërsa 82-vjeçarja u dërgua në spitalin e Shkodrës, ku po merr ndihmë mjekësore.
Pas denoncimit të vjehrrës, nusja Elmira Buci është vendosur në prangat e policisë.
“Komisariati i Policisë Shkodër ndaloi shtetasen E. B., 43 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi ka kallëzuar vjehrra e saj 82-vjeçe, se 43-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. 82-vjeçarja po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër. (Ky rast është publikuar në media)”, raportoi policia e Shkodrës.