Moderatorja e emisionit “Fakt”, në televizionin lokal të Fierit, Tv Apollon Marsela Topi ka reaguar pas videos që bëri xhiron e rrjetit ditën e sotme, ku doli jashtë çdo kornize dhe shpërtheu në të shara në studion.

Në një prononcim për Newsbomb.al, ajo ka treguar se nuk i është drejtuar kolegëve të saj, por dy personave që shoqëronin Zotin Cakrani. Pasi sipas saj, ata ndërhynin gjatë gjithë kohës, duke shkaktuar një stres të padurueshëm.

Topi ka theksuar se frazën që pushtoi mediat e ka ruajtur montazhieri, për t’i treguar sesa nervoze ishte bërë.

“Nuk u kam thënë kolegëve te mi, por dy personave që po shoqëronin Z. Cakrani. Ndërhynin gjatë gjithë kohës, duke shkaktuar një stres të padurueshëm. Emisioni është transmetuar në mbrëmje pas montazhit. Ështe regjistrim dhe këtë ua faktoj kur të dëshironi. Zakonisht emisioni fillon në orën 21:00. Atë ditë pas montimit, filloi rreth orës 21:40. Këtë frazë montazhieri e ruajti për të më treguar se sa nervoze isha bërë. Une jam në komunikim të drejtpërdrejtë me teleshikuesit prej gati 2 vitesh, në emisione të drejtpërdrejta. Nuk kam dal asnjëherë nga vetja live”, u shpreh Marsela Topi.

Më tej moderatorja ka shtuar se publikimi i videos është përpjekje për t’i prishur imazhin dhe një sulm politik.

“Jam e bindur që kjo është thjesht një përpjekje për të më prishur imazhin, ose pse jo dhe një sulm politik. Përpiqem të jem sa më objektive në punën time, duke fituar zemrat e publikut të cilët më përcjellin çdo ditë konsideratat e tyre. Nuk ka staf në botë që pas kuintave, nuk është i lirshëm mes kolegëve. Është thjesht dashakeqësi”, deklaron Topi.

E pyetur nga redaksia e newsbomb.al, moderatorja është shprehur se priste një sulm të tillë pasi qyteti i Fierit është një bastion socialist dhe do i pëlqente të dëgjonte vetëm lëvdata për qeverinë.

“Fieri është bastion socialist. Do ju pëlqente të dëgjonin vetëm lëvdata për qeverinë. Unë u jap mundësine në temat që trajtoj duke qenë në koherencë të plotë me realitetin, që të shprehen lirshëm. Si gazetare terreni, shoh shume gjëra që nuk shkojnë, dhe nuk mund t’i përcjell me ngjyra në ekran, as me pushtetin vendor nuk kam marrëdhënie as të mira, por as të këqija, të ngrira mund të themi. Vetëm se nuk më pëlqen të bëhem palë me asnjë. E prisja në fakt një sulm në një moment të caktuar, por jo të një niveli kaq të ulët. Gjithsesi unë nuk ndihem aspak keq. Kushdo që e ka bërë, dhe kundrejt cilido çmimi, është shitur shumë lirë”, përfundon moderatorja./NewsBomb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re