Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në një takim joformal udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.
Takimi, që do të mbahet te ‘Vila 30’ është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytet, më 16 tetor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit këtë vit kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë. Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.
Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, sot do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou. Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç.