Ish deputetja e Oriola Pampuri denoncoi nga QSUT, zvogëlimin e sallave të kirurgjisë në këtë spital.

Ajo deklaroi se nga 11 salla kirurgjikale me 130 shtretër, tani kanë mbetur vetëm 7 me 90 shtretër. Ky fakt, sipas Pampurit ka sjell kaos në operacionet që zhvillohen në QSUT e po ashtu janë mbyllur edhe sallat e urgjencës.

Numri i sallave të shërbimit dhe numri i shtretërve për pacientët është zvogëluar. Këtë të vërtetë kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë duan ta fshehin pas propagandës me fasadën. Më parë ishin gjithsej 11 salla kirurgjikale me 130 shtretër. Tani, megjithëse janë shpenzuar miliona euro, këto janë reduktuar në 7 salla dhe 90 shtretër.Eliminimi i 4 sallave për operacionet ka sjellë kaos në QSUT, ka sjellë mbipopullim pacientësh duke ulur cilësinë e shërbimit. Nga ana tjetër, kushtet e mjekëve janë vështirësuar, duke mos patur mjedise të përshtatshme pune. Reduktimi i sallave të kirurgjisë në QSUT ka sjellë edhe mbylljen e sallave të urgjencës. E vërteta është se ato u mbyllën, jo për shkak të përqendrimit në një godinë të vetme, por për shkak të korrupsionit. Sepse nuk ka para dhe nuk ka reanimatorë.

 

Qeveria, tha Pampuri, nuk ka prioritet pacientët për t’u krijuar kushte sa më të mira, pasi paguan 35 milionë euro në vit për disa koncesione korruptive dhe të dështuara në shëndetësi. Ish deputetja e PD shtoi akuzat duke thënë se sistemi I ri vonon me disa minuta zhvendosjen e pacienteve në raste urgjencash duke rrezikuar jetën e tyre.

Ka edhe një problem tjetër madhor me sallat e reja të kirurgjisë. Përveç mbylljes së disave prej tyre dhe mbylljes se sallës së urgjencës në katin e parë, sistemi i ri vonon me disa minuta zhvendosjen e pacientëve me rast urgjence, duke rrezikuar jetën e qytetarëve Nga kati i parë, tani pacientët me urgjencë kalojnë në disa korridore, futen në ashensorë dhe ngjiten në katin e pestë, duke marrë kohë të çmuar nga jeta e tyre në rrezik. Ky sistem përplas urgjencat me operacionet e planifikuara. Duke mos patur një sallë të posaçme për urgjencat, operacionet e planifikuara të pacientëve mund të zhvendosen, duke thelluar kaosin dhe duke ulur ndjeshëm cilësinë e shërbimit, apo akoma me keq, duke detyruar qytetarët t’i drejtohen privatit me shpenzime të tjera kolosale. Prandaj, disa nga përgjegjësit kryesorë, si Ogerta Manastirliu apo Ilir Beqja duhet të japin llogari para drejtësisë për dëmin e madh që i kanë shkaktuar sistemit shëndetësor me koncesionet korruptive.

 

Partia Demokratike, shtoi Oriola Pampuri, shpreh bindjen se një qeveri që ka ardhur në pushtet duke vlerë vota, nuk ka prioritet qytetarët, por pasurimin e paligjshëm për vete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re