Dështimi për t’u dhënë mundësinë emigrantëve të votojnë në 25 prill, për ministrin e Diasporës, Pandeli Majkon, është vetëm përgjegjësi e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Majko tregon shkeljen e ligjit, që sipas tij KQZ ka bërë që prej datës 20 shkurt.

“Që në datën 20 shkurt Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në shkelje të Kodit Zgjedhor, pasi ky kod i kërkonte KQZ-së që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e kodit zgjedhor të miratonte aktet nënligjore. 

Këto akte nuk kanë dalë që do të thotë se KQZ ka shkelur ligjin. Në kod nuk thuhet asgjëkundi që për të nxjerrë aktet nënligjore duhet të konsultohesh me partitë”, tha Majko.

Majko zbardh takimin me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues nga Partia Demokratike.

“Me ftesë të Këshillit të Kordinimit të Diasporës kemi pasur një takim me Kryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin dhe përfaqësuesin e Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi. 

Ia lëmë në dorë Partisë Demokratike për të vendosur se cili është modeli më i përshtatshëm që ajo gjykon dhe i jep garanci për këtë çështje”, u shpreh Majko.

Por për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vota e emigrantëve është kthyer në një pikë të nxehtë e cila po shërben për debate politike. Sipas anëtarit të Komisionit Rregullator në KQZ, Muharrem Cakaj, Kodi Zgjedhor po lexohet sipas interesave.

“Patatet e nxehta që politika shqiptare ka në duar, është historike kjo sjellje që i merr, i shpërndan dhe ua hedh institucioneve të tjera. 

Kodi Zgjedhor është e vërtetë që ngarkon KQZ për të mundësuar dhe implementuar votimin e shtetasve jashtë vendit, por para se të miratohet janë disa kushte. 

Parakusht për nxjerrjen e akteve është detyrimi që çdo emigrant ka për të regjistruar adresën e vendbanimit të tyre”, u shpreh Cakaj.

Deri më tani, KQZ nuk ka nxjerrë asnjë akt ligjor lidhur me mundësinë që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhje.

Në kushtet kur ende nuk ka një numër të saktë të emigrantëve shqiptarë, mundësia që ata të kenë të drejtën e votës, edhe një herë u shndërrua në mision të pamundur.