Dimri i butë i këtij viti por edhe pandemia e cila ka sjellë kufizime të shumta të jetës normale, ka favorizuar dukshëm bletet.

Mjedisi ishte më i pastër e po ashtu kullotat kanë qene me te favorshme se vitet e kaluara. Kjo ka bërë që prodhimi mesatar i mjaltit të jetë deri në 12 kg për koshere, ndërkohë që me parë nuk ka shkuar më shumë se 10 kg.

Sipas ekspertëve cilësia e mjaltit do të jetë shumë herë më e mirë se çdo vit tjetër.

Në të gjithë qarkun e Korçës janë më shumë se 50 mijë familje blete, të cilat prodhojnë mesatarisht 600 ton mjaltë.

Edhe në bashkinë e Klosit është vënë re lulëzimi i këtij sezoni përsa i përket prodhimit të mjaltit.

Bletërritësi Besim Lami, thotë se këtë vit prodhimi do të jetë më i mirë se ai i sezonit të kaluar pasi lulet me të cilat ushqehet bleta, nuk janë dëmtuar nga shirat si vitin e kaluar.

Vjeljen e plotë të mjaltit bletarët pritet ta fillojnë nga fillimi i muajit korrik, kur dhe përfundojnë lulëzimin pemët apo lulet e ndryshme.

Ndërkohë në shkallë vendi janë 360 mijë familje blete të cilat arrijnë një prodhim prej rreth 4500 ton mjaltë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re