Presidenti Ilir Meta i ka bërë një thirrje qeverisë që të shtojë numrin e testimeve për identifikimin e rasteve me COVID-19.

Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit thekson se testimi është mjet tepër efikas për diagnostikimin dhe gjurmimin e rasteve me koronavirus.

Sipas Metës, duhet të testohen stafi mjekësor si dhe mësuesit, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

REAGIMI I METËS

Në këtë moment kritik të përhapjes së pandemisë, është jetike të shtohet masivisht numri i testimeve.
Testimi është mjeti tepër efikas për diagnostifikimin, gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.
Testimi është mundësia e vetme për të vendosur kontrollin mbi situatën dhe për të organizuar përgjigjen e sistemit shëndetësor për çdo qytetar të prekur nga COVID-19.
Si hap i parë, duhet të testohen menjëherë:
1. Të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mbështetës në sistemin e shëndetësor, parësor dhe spitalor, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me COVID-19.
2. Të gjithë arsimtarët, në çdo nivel, për shkak se testimi dhe gjurmimi pasues i rasteve të tyre lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve tanë.
3. Të gjithë të moshuarit e vetmuar, të cilët jetojnë të shtëpitë e kujdesit social.
4. Të gjithë qytetarët me sëmundje bashkëshoqëruese.
Për të gjitha këto kategori është tepër e nevojshme, sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe organizatave të tjera, të nisë menjëherë edhe vaksinimi me vaksinën e gripit stinor.
Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan urgjent, transparent dhe i monitorueshëm në çdo moment.
Pandemia mund të vihet nën kontroll dhe jetët e qytetarëve mund të shpëtohen.
Çdo ç’organizim, mosfinancim dhe mosveprim sjell pasoja fatale përditë.
Shkenca ka folur.
Koha për të vepruar nuk pret më.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re