Mjeku Ilir Alimehmeti deklaroi se vetëm përmes autopsisë mund të kuptohet shkaku i vërtetë i vdekjes së njerëzve kudo në botë, të prekur nga COVID-19.
Në një intervistë me “Skype” për emisionin “7 pa 5” të gazetares Pranvera Borakaj, mjeku tha se ka një ndryshim të madh të kesh vdekur me koronavirus dhe nga koronavirusi.
Sipas tij, duhen pritur të dhënat zyrtare nga autopsitë për të dalë në përfundime.
“Ti vdes me COVID-19, që do të thotë ke një sërë sëmundjesh dhe një prej tyre është bërë shkak dhe ka ndodhur vdekja. Nga pikëpamja mjekësore, nëse ne duam të flasim me dokument, dokumentin e vendos mjekësia ligjore. Teorikisht duhet bërë një autopsi për të vendosur shkakun e vdekjes. Këto që japim ne akutalisht dhe Italia aktualisht për shkak të numrit të lartë, nuk janë të dhëna nga autopsitë. Janë të dhëna që vijnë nga vëzhgimi i mjekut kurues dhe ai patjetër mund të bëjë një gabim goxha të madh në krahasim me autopsinë. Po presim studimet lidhur me autopsinë. Di që kanë filluar në Gjermani. Presim përgjigjet prej tyre për të thënë sa në të vërtetë këto raste kanë vdekur nga COVID-19. Unë vazhdoj të them, të vdesësh ME është ndryshe dhe të vdesësh NGA është ndryshe. Është njësoj sikur unë të kem rrufë sot, dal në rrugë, më shtyp një makinë. Shkaku i vdekjes nuk është rrufa.”
Mjeku Alimehmeti argumentoi se numri i vdekjeve deri tani i pacientëve të prekur nga COVID-19 është gati i papërfillshëm, krahasuar me numrin e vdekjeve të shënuara një vit më parë në këtë periudhë.
“Edhe ne në Shqipëri duhet të presim shifrat, duhet të presim studimet, më pas do t’i pasqyrojmë në të dhënat tona. Të dhënat tona në fakt flasin për një numër shumë shumë të vogël deri tani. Kalkulohet që vitin e kaluar në këtë periudhë do të vdisnin normalisht 70 veta në ditë. Pra 15 vetë në 3-4 javë, është një pikë uji në mes të detit, në krahasim me ecurinë tonë normale si popullatë. Ne deri më sot kemi pasur gjithsej 23 vetë, përfsihrë edhe rastet që shkuan keq, të shtruar në terapi intesnvie. Vetëm gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti ne kemi patur 213 të shtruar në terapi intensive nga gripi sezonal.”
Sipas tij, koronavirusi nuk do të zhduket. Ilir Alimehmeti shpjegoi se COVID-19 do të kthehet njësoj siç bën virusi i gripit.
“Ky është një virus që nuk ka për t’u zhdukur. Është një virus që do të vazhdojë të qëndrojë me ne, ashtu si virusi i gripit që kthehet herë pas here. Ajo që ne bëjmë ndërkohë është që të fitojmë pak kohë t’i japim mundësi strukturave spitalore që të ngrejnë kapacitetet e tyre. Thjesht për t’ju thënë që spitali jonë i ka kapacitetet e këtilla. Nuk është në nivele alarmante. Ne e dimë që virusi do të kthehet dhe po bëhemi gati për një kthim të dytë të tijin. Nuk është gjendje dramatike, nuk është fundi i botës.”
Mjeku shtoi se në kalkulohet që në Shqipëri të jenë prekur 1.45% e popullatës. Por një pjesë e tyre janë pa simptoma dhe ky shihet si një lajm i mirë sepse nuk mbingarkohen spitalet. Por nga ana tjetër, shihet edhe si një lajm i keq sepse infekton të tjerët pa e ditur.
