“Në arbitrazh ka një klauzolë konfidencialiteti që deri në mbarim të procesit palët nuk shprehen”.

E ndërsa Kryeministri, si i akuzuari kryesor në gjyqin ndaj Becchettit, vazhdon ta ruajë konfidencialitetin, Ministria e Financave e ka zbuluar të vërtetën e gjyqit. Qeveria e Edi Ramës e ka humbur gjyqin nga “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, pra, Francesco Becchetti dhe po bën gati pagesën e faturës 100- milionëshe.

DOKUMENTI

Në një dokument që shoqëron raportin për ecurinë e ekonomisë gjatë pjesës së parë të vitit, Financat pasqyrojnë edhe pagesën për “Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të ARBITRAZHIT”. Në tabelën shoqëruese janë paraqitur bizneset që kanë mundur qeverinë shqiptare në gjyqet ndërkombëtare, sa para kanë borxh dhe sa ka mbetur për t’u paguar, ose siç njihet tashmë, “Detyrimi i mbetur”.

Në mes 8 pagesave me ‘detyrim të mbetur’ është edhe ajo ndaj “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”. Bëhet fjalë për gjyqin e humbur në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për Investimet, ICSID. Rreth një vit më parë, qeveria e humbi gjyqin, por Rama nuk e pranoi publikisht pagesën e frikshme prej rreth 110 milionë eurosh që duhet të nxirrte nga taksat e qytetarëve për Francesco Becchettin. Ky i fundit e hodhi në gjyq qeverinë e Shqipërisë për mbylljen e aktivitetit të hidrocentralit, që nuk u arrit të ndërtohej përfundimisht prej dekadash.

Ndërhyrja e qeverisë dhe shpeshherë edhe deklaratat publike të ashpra të Kryeministrit në ditët e para të pushtetit pas 2013 ndaj një biznesi ndërkombëtar, janë penalizuar nga Gjykata Ndërkombëtare me 110 milionë euro. Becchetti kishte kërkuar 650 milionë euro dëmshpërblim. Në tabelën e Financave, në pjesën e vendimit të Arbitrazhit për Becchettin shkruhet: “99.487.000 EUR dhe 111.579,989 EUR Arbitrazhi ICSID nr.ARB/15/28 ‘Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë’”.

Ndërsa borxhi i papaguar është 99,898,580 euro. Kaq është shuma e mbetur për t’u paguar. Ndërkohë që dokumenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit flet për 110 milionë euro për t’u paguar nga qeveria shqiptare, gjë që vë në dyshim ndonjë pagesë të mëparshme. Në tabelën e gjyqeve të humbura nga Shqipëria, rasti i Becchettit zë pjesën dërrmuese ose rreth 91 për qind. Në total, detyrimi i mbetur për t’u paguar në gjyqet që ka humbur qeveria ndaj biznesit është 109.4 milionë euro.

Një shumë e frikshme, në kohën kur po buxheti po dërrmohet nga pandemia e Covid-19. Edhe në një kohë normale, me rritje ekonomike, humbja e 100 milionë eurove për shkak të paaftësisë dhe sjelljes prej të forti të qeverisë ndaj biznesit, do të ishte një shifër e madhe dhe tronditëse. Pagesa e këtij detyrimi në kohë pandemie është akoma më e rëndë, si për ata që e shkaktuan, ashtu edhe për qytetarët që do ta paguajnë nga taksat e veta. Një gjë është e sigurt: pagesa nuk është më sekret, edhe pse mund të jetë akoma konfidenciale.

BUXHETI

E ndërkohë që qeveria duhet të ndajë 100 milionë euro nga taksat tona si pagesa për Becchettin, kriza e shkaktuar nga Covid e ka detyruar të ndryshojë në mënyrë drastike buxhetin e shtetit. Do të mjaftonte vetëm rishikimi i Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, për të treguar se sa keq do të afektohet ekonomia vendëse. Në draftbuxhetin që qeveria i ka dërguar Kuvendit parashikohet që GDP-ja të zbresë nga 1,793 triliardë lekë, ose 17,9 miliardë USD (sipas konvertimit të zhargonit qeveritar), në 1,580 triliardë lekë, ose 212 miliardë lekë më pak, rreth 2 miliardë USD. Kaq është llogaritja e Financave.

E nisur nga kjo, qeveria ka vendosur të heqë tavanin e borxhit dhe të rrisë financimet me para të marra nga bankat dhe financime të huaja në rreth 1.5 miliardë USD. Në relacion, qeveria thekson se buxheti i ri “do të reflektojë një reduktim në masën 63.1 miliardë lekë të planit të arkëtimeve të të ardhurave buxhetore. Pjesën kryesore e zë reduktimi i të ardhurave tatimore me rreth 57 miliardë lekë”.

Pra, të ardhurat do të jenë rreth 630 milionë USD më të ulëta. Por ndërkohë, politika e re e qeverisë është nxitja e ekonomisë dhe rritja e shpenzimeve, edhe pse duhet parë sa efektive do të jenë këto shpenzime. Qeveria parashikon “një rritje të shpenzimeve buxhetore prej rreth 30.16 miliardë lekësh”. Të dyja këto veprime, ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve, do të çojnë në një tjetër rekord.

Deficiti do arrijë në 132,965 miliardë lekë, ose rreth 1,3 miliardë USD. Kjo sjell një borxh në nivele kolosale. Në dokument, qeveria pranon “rritjen e borxhit publik total në nivelin e pritur prej rreth 80% të PBB-së, nga rreth 65% të PBB-së që pritej sipas buxhetit fillestar dhe nga rreth 69% e PBB-së në rishikimin e parë sipas aktit normativ”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re