Që prej datës 15 tetor, ditën kur edhe hyri në fuqi akti normativ për mbajtjen e detyrueshme të maskës në vendet publike, në vendet e hapura, në rrugë e kudo tjetër përveç banesës, në qarkun e Beratit janë vendosur 352 gjoba.

Papërgjegjshmëria e qytetarëve beratas, të cilët të pabindur ndaj urdhrit të qeverisë nuk kanë preferuar të mbajnë maska në vendet e detyrueshme për t’i mbajtur ato, ka bërë që në 10 ditë policia të ndërmarrë ndaj tyre masa administrative, që përllogariten gati 35 gjoba çdo ditë.

Burimet zyrtare të DPV Berat bëjnë me dije se deri sot janë vendosur rreth 352 gjoba në të gjithë qarkun e Beratit, të vendosura nga patrulla të ndryshme policore. Të njëjtat burime konfirmojnë se më të pabindurit për vendosjen e maskës janë në më të shumtën e rasteve të rinjtë dhe banorët e zonave rurale.

Muaji i fundit ka shënuar shifra në rritje të të infektuarve me Covid-19 në të gjithë qarkun e Beratit dhe pikërisht për këtë arsye mbajtja e maskës shihet nga pjesa më e madhe e qytetarëve jo vetëm si detyrim por edhe një formë sensibilizimi për të gjithë në mënyrë që ky virus i rrezikshëm të përhapet sa më pak.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re