Tetori shënohet si muaj i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në Shqipëri, sidomos në qarqet e vogla dhe zonat rurale, autoritetet shëndetësore vënë re një interesim të pakët të grave dhe vajzave. Pandemia e koronavirusit ka ndikuar këtë vit edhe në uljen e ndjeshme të kontrolleve për kancerin e gjirit.

Pavionet e poliklinikave mjekësore janë të tejmbushura me banorë që kryejnë vizita në spitalin e Gjirokastrës, por pranë pavionit të mamografisë numri i grave dhe vajzave që kryejnë kontrollin për kancerin e gjirit është tejet i ulët. Tetori shënohet si muaj i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, thotë për Zërin e Amerikës nëndrejtori i spitalit të Gjirokastrës, mjeku kirurg Roland Karalliu, por interesimi është i ulët.

Konkretisht ne kemi dhe apartin e mamografisë prej vitesh që e shfrytëzojmë por ka një mangësi ndoshta ka qenë dhe pandemia që nuk vijnë të ekzaminohen gratë sidomos në moshat 40 dhe 45 vjeç. Ne kemi bërë një numër jo të pakët të mamografive, por duhet të ketë një organizim jo vetëm në muajin tetor por gjithë vitin.”

Zoti Karalliu thotë më tej se shifrat e ekzaminimeve kanë ardhur gjithmonë e duke u ulur ndjeshëm ndikuar edhe nga pandemia e koronavirusit.

Këto ekzaminime për kancerin e gjirit në vitet 2020 -2021 ndoshta janë kufizuar dhe prej pandemisë, por prapë nuk është bërë ai ndërgjegjësimi i grave që ato të vijnë dhe ta ekzaminojnë gjirin. Në vitin 2018, ka pasur 518 egzaminime, në vitin 2019 ka pasur 994, ndërsa në vitin 2020 ka pasur 66 dhe në vitin 2021 vetëm 46 ekzaminime.” Zoti Karalliu thotë se interesimi duhet të jetë për ta kapur sëmundjen që në fazë të hershme dhe rolin kryesor e ka mjeku i familjes.

Kjo është një detyrë e mejkut të familjes. Duhet patjetër ai t`i ndërgjegjësojë gratë që të bëjnë kontrolle të vazhdueshme”. Në qarqet e vogla dhe sidomos zonat ruale gratë përballen edhe me mentalitete që ndikojnë në përfshirjen e tyre të pakët në kontrollet mjekësore për kancerin e gjirit.

“Duhet që mamografia të shfrytëzohet sistematikisht dhe të mos rrijë në asnjë minutë e qetë. Por ja që pjesëmarja ndoshta dhe sedra, turpi nuk i lënë gratë,ose opinioni që mund të ngjallet nëse është me kancer të gjirit, o bo bo çfarë ka. Por jo, s`duhet të jetë kështu kjo sëmundje shërohet”.

Specialisti i kujdesit shëndetësor Bledi Ahmeti thotë se fushata për gratë dhe vajzat përfshin disa rekomandime.

“Që një grua të jetë e ndërgjegjësuar për këtë sëmundje duhet të ketë disa njohuri bazë. Ajo duhet të njohë trupin e saj dhe të vetëkryejë ekzaminimin e gjirit në shtëpi në kontrolle të thjeshta mujore. Nëse dyshon për masa morfologjike duhet t`i drejtohet menjeherë mjekut të familjes. Gjithashtu një grua që ka pasur të afërm brenda rrethit familjar, që kanë pasur probleme me kancerin e gjirit atëherë rekomandohet edhe kryerja rregullisht e mamografisë”Zoti Ahmeti thotë se gjatë këtij muaji janë referuar mbi 320 mamografi nga mjekët e familjes por varet nëse kanë shkuar t’i bëjnë ekzaminimet në laboratorët e spitalit.

“Në këtë muaj, që njihet si tetori rozë për parandalimin e kancerit të gjirit, ne kemi orientuar të gjitha femrat të marrin një rekomandim nga mjeku i familjes dhe të drejtohen në spitalin rajonal për të kryer mamografi. Deri tani në harkun e dy javëve janë referuar 320 mamografi nga mjekët e familjes”.

Pandemia e koronavirusit ka ndikuar sipas mjekëve që shumë shërbime mjekësore të jenë të fokusuara dhe kjo ka ndikuar që të bjerë ndjeshëm niveli i interesimit për shërbimet e tjera të domosdoshme mjekësore, për kapjen e sëmundjeve në faza të hershme./ VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re