Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, do të zbatohet plani Kombëtar për deinstitucionalizimin duke vendosur theksin se çdo fëmijë duhet të rritet pranë një familje në mënyrë që të kemi në të ardhmen qytetarë shembullorë.

Ministrja Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve të kujdesit social dhe organizmave ndërkombëtarë si UNICEF, Delegacioni i Bashkimit Europian, Save the Children, bëri me dije se është miratuar Agjenda Kombëtare për të Drejtat e fëmijëve që synon t’u japë zgjidhje sfidave më domethënëse përsa i përket të drejtave të fëmijëve.

“Qëllimi ynë primar është parandalimi i ndarjes së fëmijës nga familja, ndaj fokusi është fuqizimi i bërthamës familjare, përmes mbështetjes në një aspekt shumë planësh, nga mbështetja ekonomike tek ajo sociale. Gjithashtu ofrimi i kujdesit alternativ profesional nëpërmjet shërbimeve të menaxhuara nga strukturat në nivel vendor dhe qendror, si dhe krijimit të rrjetit të familjeve kujdestare, mbetet një tjetër objektiv që po adresojmë në këtë plan”, tha Manastirliu.

“Qeveria Shqiptare miratoi Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, një agjendë 5-vjeçare, e cila synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për fëmijët në të gjitha fushat. Ajo parashtron parimet për një rol edhe më aktiv në promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, me fokus tek parandalimi. Axhenda përmban politikat që ne synojmë për fëmijët që jetojnë në zonat urbane dhe rurale, e atyre në shkollë dhe jo në shkollë, e fëmijëve që aktualisht jetojnë në familje dhe atyre që duhet të bashkohen me familjet e tyre. Interesi më i lartë i fëmijëve, është busulla që na orienton në politikat dhe programet që ndërmarrim”, tha Manastirliu.

Institucionet e përkujdesit shoqëror, në kuader të Planit të Deinstitucionalizimit, po punojnë për të krijuar modele për shërbime të reja alternative për fëmijët. Aty ku është e mundur, sipas planeve individuale, do të fuqizohen familjet biologjike në një proces të plotë mbështetjeje, me synimin për të kthyer fëmijët pranë tyre, rast pas rasti.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re