Në një takim të mbajtur në selinë e shenjtë në Vatikan, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Mondi, është pritur nga ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Takimi vjen në kuadër të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Bektashiane në Shqipëri. Papa Françesku uroi dhe bekoi krijimin e Shtetit Sovran Bektashi, ndërsa shtoi se bektashinjtë, së bashku me myslimanët e tjerë, me të krishterët dhe me të gjithë besimtarët e Shqipërisë mund të shërbejnë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok.

“Përurimi i Tempullit të Bektashinjve në Tiranë, në vitin 2015, ishte një moment veçanërisht i frytshëm afrimi dhe miqësie. Jam i bindur se komuniteti bektashi, së bashku me myslimanët e tjerë, të krishterët dhe gjithë besimtarët e pranishëm në Shqipëri, mund të shërbejë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Pavarësisht nga sfidat e së tashmes, dialogu ndërfetar ka një rol unik në ndërtimin e një ardhmërie në pajtim, drejtësi dhe paqe, që popujt e botës e, veçanërisht të rinjtë, e dëshirojnë me zjarr”, – tha Papa Françesku.

Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë vuri në dukje marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike dhe komunitetit bektashi, duke nënvizuar rëndësinë e tyre në kohën me luftëra e konflikte.

“Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike, Shqipërisë dhe komunitetit bektashi janë pasuri për të gjithë ne dhe kam besimin se këto lidhje do të forcohen gjithnjë e më shumë, në shërbim të vëllazërimit e të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve. Në këto kohë të vështira, të gjithë jemi të thirrur ta refuzojmë logjikën e dhunës dhe të mosmarrëveshjes, për të përqafuar atë të takimit, të miqësisë dhe të bashkëpunimit në kërkimin e së mirës së përbashkët. Në fakt, bindjet tona fetare na ndihmojnë t’i përqafojmë më qartë këto vlera themelore, tipike të humanizmit tonë të përbashkët, duke i dhënë mundësi bashkësisë së zërave të ndryshëm të formojnë një këngë fisnike dhe harmonike (Letra Enciklike Fratelli tutti, 283)”, – u shpreh Ati i Shenjtë.

Haxhi Dede Brahimaj i foli Atit të Shenjtë për idenë e shtetit Bektashi në Shqipëri, sipas modelit të Vatikanit, duke marrë bekimin e Papës për bashkësinë e bektashinjve dhe për gjithë popullin shqiptar. I dhuroi edhe shallin tradicional të bektashinjve, të cilin Begoglio e vuri në qafë. Papa Françesku dhe kreu i bektashinjve nënshkruan së bashku Dokumentin e Abu Dabit për vëllazërimin njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën në botë, që u bë publike në vitin 2019 e që ka si qëllim vendosjen e paqes në botë.

Ky takim vjen në kuadër të 95- vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Bektashiane në Shqipëri. Ishte shtatori i vitit 2024, kur Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shteti Bektashi ishte një ide konkrete dhe një ide shumë pozitive për Shqipërinë, shqiptarinë, kulturën dhe traditën shqiptare dhe pozicionin tonë në hartën më të madhe të kontinentit dhe botës.

Rama e vlerësoi bektashizmin si një thesar të trashëgimisë sonë kulturore, që rrezikon të zhduket, sepse është një komunitet që e ka qendrën botërore në Shqipëri./Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re