Papa Françesku ka ndryshuar zyrtarisht qëndrimin e kishës në lidhje me dënimin me vdekje, duke thënë se kurrë nuk mund të sanksionohet sepse sipas tij “sulmon” dinjitetin e natyrshëm të të gjithë njerëzve. Kreu i botës katolike e shpalli dënimin me vdekje si “të papranueshëm” në të gjitha rrethanat.

Vatikani tha të enjten se Papa Françesku kishte ndërhyrë në Katekizmin e Kishës Katolike për të pasqyruar kundërshtimin total ndaj dënimit me vdekje. Më parë, katekizmi e përmbante e kisha nuk përjashtonte mundësinë e dënimit me vdekje “nëse kjo është mënyra e vetme e mundshme për të mbrojtur në mënyrë efektive jetën njerëzore kundër agresorit të padrejtë”.

Por tani, në Mësimdhënien e re, e përfshirë në Katekizëm me Nr. 2267, thuhet se politika e mëparshme është e vjetëruar, se ka mënyra të tjera për të mbrojtur të mirën e përbashkët dhe se kisha duhet të angazhojë veten për të punuar për t’i dhënë fund dënimit me vdekje.

“Kisha mëson, nën dritën e Ungjillit, se dënimi me vdekje është i papranueshëm sepse është një sulm ndaj paprekshmërisë dhe dinjitetit të personit dhe ajo punon me vendosmëri për heqjen e saj në mbarë botën”, thuhet në tekstin e ri, i cili u miratua në maj por u botua këtë të enjte.

Dënimi me vdekje është shfuqizuar në pjesën më të madhe të Evropës dhe Amerikës së Jugut, por është ende në fuqi në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re