Dënimi me vdekje nuk është në asnjë mënyrë zgjidhje për dhunën që mund të prekë njerëzit e pafajshëm, shkroi kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, në parathënien e librit të Dale Recinella, i cili së shpejti do të botohet nga shtëpia botuese e Vatikanit (LEV).

“Dënimi me vdekje është larg nga sjellja e drejtësisë, ai inkurajon një ndjenjë hakmarrjeje që po bëhet një helm i rrezikshëm për shoqërinë tonë civile,” shkroi Papa në parathënien e librit “Një i krishterë në pritje të dënimit me vdekje: Përkushtimi im ndaj të dënuarve”, raporton Ansa.

Papa shtoi se shtetet duhet të përqendrohen në dhënien e të burgosurve një shans për të ndryshuar vërtetë jetën e tyre, në vend që të investohen para dhe burime për ekzekutimin e tyre.

Papa shkroi parathënien

Libri, për të cilin Papa Françesku shkroi parathënien, është vepër e Dale Recinello, 72 vjeç, një avokat dikur i suksesshëm në Wall Street, i cili flet për punën e tij si prift laik në Florida, ku ai ka ndihmuar të dënuarit me vdekje që nga viti 1998.

Papa deklaroi se ai u takua me Dale Recinellon gjatë një auditori dhe përmes artikujve të tij për gazetën Osservatore Romano, si dhe tani përmes këtij libri thellësisht prekës.

“Detyra e tij është jashtëzakonisht e vështirë dhe e rrezikshme, sepse prek të keqen në të gjitha dimensionet: të keqen që u bëhet viktimave dhe që nuk mund të riparohet, e keqja që kalon i dënuari, si dhe e keqja që nxitet në shoqëri nëpërmjet praktikës së dënimit me vdekje”, shkruan Papa në parathënie.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re