Kreu i Kishës Katolike dhe i Vatikanit, Papa Françesku, theksoi se i vjen turp nga fakti që 216 mijë fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit seksual në kishat në Francë që nga vitit 1950 e deri më tani.

Në një takim në Vatikan me besimtarët nga vende të ndryshme, Papa foli për raportin rreth abuzimit seksual ndaj fëmijëve në kishat në Francë që u publikua dje.

Papa u shpreh se në raport thuhet se numri i viktimave është i konsiderueshëm. “Dëshiroj të theksoj keqardhjen dhe dhimbjen time për shkak të traumës që ato kanë përjetuar. Fakti që kisha për një kohë të gjatë nuk ka vendosur ata në qendrën e shqetësimit të saj është turpi ynë, turpi im. Ky është një moment turpërues”, tha kreu i Vatikanit.

Ndër të tjera Papa theksoi se këto ngjarje nuk duhet të përsëriten dhe u kërkoi të gjithë peshkopëve që të marrin masat e nevojshme për këtë çështje.

Ai shprehu afërsinë e tij me priftërinjtë francezë përballë kësaj situate që e cilësoi si një “provë të vështirë” dhe u bëri thirrje katolikëve francezë që të sigurojnë që kisha të mbetet një shtëpi e sigurt për të gjithë.

Papa Françesku edhe dje në një deklaratë me shkrim deklaroi keqardhje të madhe nga kjo situatë.

Ndërkohë është përcaktuar se që nga viti 1950 e deri më tani, 216 mijë fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit seksual në kishat në Francë.

Kryetari i Komisionit të Pavarur për Abuzimin Seksual në Kisha (CIASE), Jean-Marc Sauve, bëri të ditur se Kisha Katolike nuk mori masat e nevojshme kundër ngjarjeve të abuzimit seksual.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re