Papa Françesku u bëri thirrje autoriteteve të dielën që të ndalojnë trafikantët e qenieve njerëzore që veprojnë në Mesdhe, duke shprehur pikëllimin për atë që ndodhi javën e kaluar me një varkë me emigrantë në brigjet e Kalabrisë, ku u mbytën dhjetra njerëz nga përmbysja e saj në det.

“I bëj thirrje edhe një herë autoriteteve që të sigurojnë që tragjedi të tilla të mos ndodhin më. Ndaloni trafikantët”, tha ai në fjalimin e tij të përjavshëm drejtuar besimtarëve dhe turistëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

Autoritetet lokale raportuan se 70 trupa janë nxjerrë nga deti deri më tani pas fundosjes së anijes.

Emigrantët vinin nga Turqia dhe ishin kryesisht nga Afganistani, Pakistani, Irani, Somalia dhe Siria.

“Udhëtimet e shpresës që të mos kthehen më kurrë në udhëtime vdekjeje dhe ujërat e pastra të Mesdheut kurrë të mos jenë më të përgjakshëm si rezultat i aksidenteve të tilla dramatike,” tha Papa.

Rreth 80 jetë mbijetuan pasi anija u mbyt në ujëra të trazuar pranë Steçato di Cutra, një vendpushim në bregun lindor të Kalabrisë.

Autoritetet vlerësuan se anija mbante deri në 200 emigrantë.

Tre trafikantë të dyshuar të qenieve njerëzore u arrestuan këtë javë dhe prokurorët kanë nisur një hetim mbi mënyrën se si shërbimet e urgjencës reaguan ndaj katastrofës pas pretendimeve se autoritetet ishin të ngadalta për t’u përgjigjur.

“Lutem për viktimat e shumta të mbytjes së anijes, për familjet e tyre dhe për ata që mbijetuan”, tha Papa. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re