Pas lutjes së mesditës kremtuar në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku dje bëri thirrje të re për paqen në Siri dhe në botë, e për ketë kërkoi të përdoren të gjitha “mjetet që ka në dispozicion bashkësia ndërkombëtare”.

Pastaj, duke iu referuar historisë së Alfie Evans dhe të Vincent Lambertit, Papa tha se i lutet Zotit që “çdo i sëmur të respektohet gjithmonë në dinjitetin e tij dhe të kurohet me mbështetjen dhe pëlqimin e anëtarëve të familjes e të mjekëve”

“Unë jam thellësisht i shqetësuar për situatën aktuale botërore, në të cilën, megjitha mjetet që janë në dispozicion të bashkësisë ndërkombëtare, vërejmë se është kaq vështirë të arrihet deri te një marrëveshjeje për të vepruar së bashku në favor të paqes në Siri dhe në rajone të tjera të botës”. Kështu u shpreh, pra, Papa Françeskut sot pas lutjes së Mbretëreshës së Qiellit, recituar me shumë besimtarë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nga dritarja e studios së tij në Pallatin Apostolik.

E Papa Françesku vazhdoi duke kujtuar se, ndërsa i lutet pareshtur Zotit për paqen, i fton të gjithë njerëzit vullnet të mirë që të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Ati i Shenjtë Bergoglio bëri thirrje të re duke iu drejtuar “edhe njëherë të gjithë udhëheqësve politikë, për të bërë gjithçka që drejtësia e paqja të mbizotërojnë” në botë.

Pas sulmit të djeshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Franca ndaj objektivave në Siri, për të shkatërruar arsenalin e dyshuar kimik të regjimit të Asadit, Papa Françesku përsëri e ngriti zërin e tij duke kërkuar një përpjekje të re e të fortë paqëtuese për mbarë bashkësinë ndërkombëtare, me OKB-në në krye.

Për Alfie Evans e Vincent Lambert: kërkon respekt për të sëmurët e kurim në përkim me familjarët

Papa pastaj kujtoi kalvarin e njerëzve si Vincent Lambert, në Francë dhe Alfie Evans, në Angli, “të cilët jetojnë, nganjëherë për një kohë të gjatë, në një gjendje të rëndë sëmundjeje”, të ndihmuar nga mjekët në nevojat primare. “Këto janë situata delikate, shumë të dhimbshme e të ndërlikuara – komentoi Papa Françesku – të lutemi që çdo i sëmurë të respektohet gjithmonë në dinjitetin e tij e të trajtohet në mënyrë të përshtatshme për gjendjen e tij, me mbështetjen, marrëveshjen e anëtarëve të familjes, të mjekëve dhe të punonjësve të tjerë shëndetësorë me një respekt të madh për jetën “.

Lutja për të rrëmbyerit e vrarë në Ekuador

Papa Françesku, gjithashtu pas lutjes së mesditës të Mbretëreshës së Qiellit, shprehu dhimbjen e tij për “ lajmin e vrasjes së tre njerëzve të rrëmbyer në fund të marsit në kufirin midis Ekuadorit dhe Kolumbisë”. “Lutem për ta e për familjet e tyre – vazhdoi Papa – e jam afër popullit të dashur ekuadorian, të cilët i inkurajoj që të ecin përpara të bashkuar e paqësorë”, me ndihmën e Zotit dhe  të Virgjërës Mari./Radio Vatikani.s.n

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re