Papa Françesku u bëri thirrje amerikanëve të dielën që të shmangin dhunën, të kërkojnë pajtimin dhe të mbrojnë vlerat demokratike, i pari reagim ky nga Selia e Shenjtë asaj çfarë ndodhi nga mbështetësit e Presidentit në largim Donald Trump në ndërtesën e Kongresit, në të cilin u vranë pesë njerëz.

“E përsëris – dhuna është gjithmonë shkatërruese. Dhuna nuk arrin asgjë dhe kaq shumë mund të humbasë,” tha ai në një fjalim drejtuar grigjës së tij në Vatikan.

“Unë u bëj thirrje autoriteteve të SHBA-së dhe të gjithë popullsisë së Shteteve të Bashkuara të mbajnë atë ndjenjë sublime të përgjegjësisë për të qetësuar gjërat, për të inkurajuar pajtimin kombëtar dhe për të mbrojtur vlerat demokratike të rrënjosura në shoqërinë amerikane”, tha Papa.

Ai përshëndeti të gjithë amerikanët nga zemra e tij, duke thënë se ai u lut për ata që vdiqën “në ato momente dramatike” dhe u lut që të gjithë amerikanët “të vazhdojnë të ushqejnë një kulturë të komunikimit të ndërsjellë dhe kujdesit të ndërsjellë, sepse është mjeti më i fortë për ndërtimin e së mirës së përbashkët”.

Në një intervistë televizive, e cila do të transmetohet të dielën më vonë, Papa tha se “gjithmonë do të ketë njerëz që kundërshtojnë komunitetin, demokracinë dhe të mirën e përbashkët”.

Ai shtoi se ishte shtangur nga ngjarjet në Uashington, por që ishte e lehtë të shihje se çfarë i shkaktoi ato.

Papa nxiti njerëzit të mësojnë nga situata dhe nga historia në mënyrë që të mos e përsërisin atë.

“Grupe të tilla njerëzish nuk janë të integruar në shoqëri dhe një dhunë e tillë do të shpërthente herët a vonë”, tha Papa.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re