Viti 2021 nuk mjaftoi për të ulur papunësinë e krijuar gjatë vitit të shkuar për shkak të pandemisë.

 

Sipas INSTAT, niveli i papunësisë gjatë tremujorit korrik-gusht-shtator u ul me 2.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Por për ekspertin Erion Muça, kjo ulje është e përkohshme dhe në fund të janarit, do të përballemi me një realitet ndryshe.

 

ERION MUÇA

EKSPERT PER ÇESHTJET E PUNESIMIT

“Viti 2021 pati luhatjet e veta dhe efektet për të stabilizuar efektet e vitit 2020. Pati fokus dhe prioritet infrasktrutura, ndërtimin, sektorë që supozohej të sillnin rritjen e punësimit në vend, por realiteti nuk ishte ai që pritej, vetëm 3-mujorin e fundit kemi ulje të papunësisë, kjo përkon me rritjen e punësimit sezonal. Në fund të janarit 2022, papunësia do të ketë rritje tjetër duke mos arritur dhe kapur pritshmëritë e planifikuara për këtë vit nga ana e shtetit, 11.8% në total për të gjithë vitin.”

 

Edhe bilanci i papunësisë për këtë vit sipas ekspertëve do të jetë thuajse në të njëjtat nivele me vitet 2019 e 2020 TAB, duke mos shënuar progres të kënaqshëm.

 

“2021 nuk mjaftoi që tregu i punës në Shqipëri të stabilizohej, jemi ende larg sepse kemi ende luhatje qoftë të shifrave të papunësisë, qoftë të nivelit të të punësuarve në plan vjetor, jemi thuajse në të njëjtat shifra.”

 

Por teksa nga njëra anë kemi biznese, që ankohen se iu mungon fuqia punëtore dhe nga ana tjetër niveli i papunësisë nuk shënon rënie të ndjeshme, eksperti Erion Muça e gjen fajin për këtë situatë te kompanitë.

 

“Ajo që duhet bërë është që çdo sipërmarrje private e rritur, fuqizuar vitet e fundit, duhet të kthejë syrin dhe vëmendjen nga vetja për të përmirësuar funksionimin e brendshëm,  kryesisht në mënyrën si i trajton punonjësit e vet, si i paguan ata, t’i motivojë ata së brendshmi dhe të mos marrin nga jashtë për pozicione të larta drejtuese. Të përmirësohet klima e orientimit të kompanive dhe biznesve mbi rezultatet në punë dhe jo sa orë punon punonjësi. Duhet emancipim i mentalitetit.”

 

Industria e prodhimit mbetet sektori, që kërkon më shumë forcë punëtore, ndërsa Erion Muça tregon se ka kërkesë shumë të lartë nga ana e kompanive për punonjës me kualifikim elementar. Nga qeveria ai kërkon të nisë inventarizimin e hapësirave të lira në tregun e punës për të treguar me detaje se cilat janë nevojat reale të shoqërisë shqiptare.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re