Skip to content

“Paqebërësi” Trump armatos Izraelin me 40 mijë bomba të tjera 1 tonëshe…

362443

Shtetet e Bashkuara po përgatitin një paketë armësh prej 2.8 miliardë dollarësh për Izraelin, e cila përfshin 40 mijë bomba secila me peshë 1 ton.

Sipas The Washington Post, paketa përfshin 20 mijë bomba MK-84 dhe 20 mijë BLU-117, ndërsa parashikohet gjithashtu furnizimi me 20 mijë predha depërtuese I-2000.

The New York Times raportoi gjithashtu se administrata Trump e ka miratuar shitjen, e cila do të ishte ndër dërgesat më të mëdha të municioneve amerikane drejt Izraelit.

Sipas The Washington Post, paketa do të financohet kryesisht përmes mekanizmit të Financimit Ushtarak të Huaj, përmes të cilit qeveria amerikane i siguron Izraelit fondet për blerjen e armëve amerikane.

Ajo tejkalon edhe marrëveshjen prej rreth 2.04 miliardë dollarësh të miratuar në vitin 2025, kur administrata Trump anashkaloi procesin e zakonshëm të shqyrtimit nga Kongresi.

Këto predha gjigante janë përdorur nga Izraeli në Gaza dhe Liban dhe janë përfshirë në një numër të madh sulmesh me viktima civile. The Washington Post, ka raportuar se Izraeli ka përdorur bomba MK-84 edhe në zona të Gazës të përcaktuara si të sigurta për civilët.

Në vitin 2024, administrata Biden pezulloi një dërgesë të bombave MK-84 dhe MK-82 për shkak të shqetësimeve se ato mund të përdoreshin në Rafah, në jug të Gazës, duke shkaktuar viktima të shumta civile.

Vendimi u ndryshua pasi Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025. Ky zhvillim, nxjerr në pah hipokrizinë e thellë dhe standardin e dyfishtë që karakterizon politikën e jashtme të Trump.

Ai erdhi dy herë në pushtet me premtimin elektoral për t’u dhënë fund “luftërave të pafundme” dhe për të sjellë paqen globale. Por në realitet ka ushqyer dhe mbetet mbështetës kyç i gjakderdhjes në mbarë botën.

Nga njëra anë, administrata e tij trumbeton me të madhe nisma si “Bordi i Gazës” për të treguar një fytyrë humanitare dhe përpjekje diplomatike, ndërsa nga ana tjetër miraton furnizimin masiv me armë shkatërruese.

Miratimi i vendimit për t’i shitur Izraelit 40.000 bomba të tjera gjigante, e shpërfaq qartë këtë mashtrim politik. Sepse ato nuk janë armë mbrojtëse, por mjete shkatërruese masive që historikisht kanë shkaktuar kratere 12-metroshe dhe kanë rrafshuar lagje të tëra me civilë palestinezë.

Duke i dërguar këto bomba, Trump demonstron se retorika e tij për paqe është thjesht populizëm elektoral, ndërsa veprimet e tij konkrete po financojnë vazhdimin e pastrimit etnik dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile.

Pra taksapaguesit amerikanë, po përdoren pa dëshirën e tyre për të financuar një makineri lufte që shkel hapur të drejtat e njeriut.

Kjo kontradiktë e hapur midis fjalëve për paqe dhe nënshkrimit të kontratave multimiliardëshe të armatimit, vërteton se nën udhëheqjen e tij, interesat e industrisë ushtarake dhe aleancat gjeopolitike peshojnë shumë më tepër se sa jetët e civilëve të pafajshëm kudo nëpër botë. \\