Është lënë në burg Etjon Joka, kandidati i LSI për deputet, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje.

Joka u arrestua dje në Tiranë pasi ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” pasi u filmua duke shpërndarë para.

Ndaj 32-vjeçarit ishte caktuar masa ‘arrest me burg’ në mungesë.

Dy ditë para zgjedhjeve është publikuar një video ku Joka shfaqej duke premtuar para për blerjen e votave në Tiranë. Me audio, në një video të publikuar ish-kandidati i LSI u shfaq teksa i jep 100 dollarë një qytetari që ishte angazhuar të mbledhë vota për LSI-në.

Po ashtu në të njëjtën video, një person i quajtur Edison Babo vijonte pazaret ku premtonte punësim për qytetarin pas zgjedhjeve.

Këto akuza vetë Joka i ka mohuar duke thënë se është e sajuar. Ai ishte i renditur i 22 në listat e LSI në Tiranë ndërsa mori vetëm 320 vota në zgjedhjet e 25 Prilli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re