Për herë të parë në Tiranë do të mbahet “Parada e shqiptarëve”, ku  125 bashki nga trojet shqiptare si dhe shqiptarë nga diaspora, do zhvendosen në rrugët e kryeqytetit. Pas një tradite 15- vjeçare në Nju Jork, të shumtë janë qytetarët e ardhur nga përtej oqeanit për të festuar 111-vjetorin e Pavarësisë. Dy prej tyre janë edhe Markeljan Agolli dhe Diana Gjuraj që prej dekadash jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

 

MARKELJAN AGOLLI

DETEKTIV NË SHBA

 

“Është diçka shumë e bukur të rikthehemi, sepse kur kemi ikur nga Shqipëria kemi ikur me të tjera ëndrra e sot vijmë si detektivë apo oficerë policie nga New Yorku. Është e rëndësishme t’ju tregojmë shqiptareve se edhe pse larg po të jemi bashkë mund të bëjmë gjëra shumë të bukura.”

 

DIANA GJURAJ

ZV/PRESIDENTE PER TEKNOLOGJINË NË SHBA

 

“Po më duket shumë mirë sepse ky vend ka shumë histori. Kemi shumë për të mësuar nga ky vend dhe të parët tanë.”

 

Parakalimi do të filloj në orën 11 të së martës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar deri në sheshin “Skënderbej”. E sigurisht ky organizim ka si qëllim të përcjellë mesazhin për bashkimin e Shqipërisë veçanërisht gjatë festave.

 

MARKO KEPI

PRESIDENT I SHOQATËS “RRËNJËT SHQIPTARE”, SHBA

 

“Parada për ne është një simbol pasi është e njëjta ditë ku mund të lëmë anash gjitha e bashkohemi si shqiptarë. kemi ardhur rreth 70 veta nga New Yorku, mes nesh oficerë policie, motoristë grupe valltarësh etj.”

 

Mes shumë të ardhurve në Tiranë ka edhe fëmijë, që duket se dashurinë për atdheun e ruajnë me fanatizëm nga familjet e tyre.

 

GLORIA PULI

SHQIPTARE NE SHBA

 

“Unë kam ikur nga Shqipëria 2 vjeçe. u gëzova shumë kur kuptova që do vinim këtu dhe mezi i pres organizime të tilla.”

 

Por festa në Tiranë do të zgjasë gjatë, duke filluar që nga mbrëmja e sotme për të vijuar deri pasmesnatës së 29 nëntorit.

 

ANDI SEFERI

NENKRYETAR I BASHKISE TIRANE

 

“Kemi paradën e cila do të zgjasë rreth 3 orë, më pas në mbrëmje trupat artistike të Festivalit të Gjirokastrës do të zbresin në sheshin “Skënderbej”. po ashtu më datë 29 në vigjilje të Natës së Bardhë do të kemi një super koncert, i cili është kthyer në traditë për bashkinë dhe qytetarët e Tiranës.”

 

Pas Tiranës organizatorët parashikojnë që të njëjtat festime të shkojë në Prishtinë, Shkup e Ulqin vitet e ardhshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re