Një paradë me 150 bashki e komuna shqiptare nga të gjitha trevat, kyqëloi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një risi nga Bashkia e Tiranës, drejtuesi i së cilës, Erjon Veliaj, solli një dialog mes një gazetari të huaj e Ismail Qemalit më shumë se një shekull më parë.

“Shtatë ditë përpara shpalljes së pavarësisë, një gazetar austriak intervistoi Ismail Qemalin edhe e pyeti: ‘Po ky është vend shumë i varfër, kjo është një tokë shumë e pacivilizuar, njerëzit janë shtypur nga çdo lloj pushtuesi, nuk e di a mund të jetë ky një vend i pavarur dhe a mund të mbijetojë kjo krijesë e re si shtet’. Ismail Qemali, ia kthen: ‘A duhet prerë një pemë, e cila nuk ka lulëzuar sepse nuk ka pasur kujdes”?’. Kjo është pyetja e 111 viteve përpara. Dhe ashtu si në bahçet tona, në parqet tona, aty ku lulëzojnë të gjitha ato punë të bukura që ndodhin nga kryetarët e komunave, bashkive, gjithmonë pyetja është: ‘A i mungon kujdesi pemës sonë, rrënjëve tona, degëve tona që janë shpërndarë kudo?’. Unë besoj që vizioni i Ismail Qemalit është që një pemë, kjo pemë e kombit tonë, që i ka rrënjët në këto troje, po të ketë kujdes lulëzon”, tha Veliaj.

Qytetari i parë i Tiranës tha se fjala “paradë” i kujtonte paradat e dikurshme komuniste, ato nën regjimin e Hoxhës, ku sot në fakt, kjo fjalë të fut të dridhurat, nëse mbahesh për një morali njerëzor, pasi të kujtojnë paradat e ndyra LGBT.

Gjithsesi, Veliaj falenderoi ata që iu përgjigjën kësaj ftese për një marshim kuqezi në bulevard në Ditën e Flamurit.

“Falenderoj nga zemra të gjithë ata që kanë ardhur nga çdo cep i trojeve tona. Kemi pak shi sot, por është bereqet, është begati. I uroj secilit gëzuar festën e flamurit, gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria! Është shumë e rëndësishme, që teksa kemi ambicie për të shkuar përpara, të kthejmë pak kokën pas, edhe të kuptojmë sa rrugë kemi bërë së bashku, sa vështirësi kemi kaluar së bashku. Të frymëzohemi nga një e kaluar që vërtet na ka rrëzuar shpesh, por jemi ngritur më të fortë, më të bashkuar, jemi bërë më të mirë, jemi lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë të pazgjidhshme”, tha Veliaj. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re