Duke marë parasysh gjendjen e mjeruar në të cilën gjenden ‘shqipëritë’ tona, si dhe, duke marë parasysh se gjendemi në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe, më vonë gjatë këtij viti, zgjedhjeve lokale në Maqedoni, po e ri-postoj shkrimin e mëposhtëm (të botuar në gazetën ‘Koha’ – Maqedoni – më 30 Tetor 2015, si dhe të publikuar në disa ueb faqe në atë kohë…), si ‘protestë’ ndaj kësaj gjendjeje në të cilën jemi katandisur si popull…

Nga: Sali Shasivari

Në këtë kohë dhe periudhë të vështirë nëpër të cilën kalon populli shqiptar në përgjithësi, si dhe popullata shqiptare në Maqedoni në veçanti, ajo që bie në sy janë paradokset e shumta, të cilat vështirë të kuptohen dhe arsyetohen si të tilla.

Madje, të shumta janë pikëpyetjet dhe pikëçuditëset me të cilat ndeshet secili prej nesh çdo ditë e më tepër, e, të cilave, jo vetëm që po dështojmë në vazhdimësi që të ju japim përgjigjen dhe shpjegimin e duhur, porse, të njejtave, dalëngadalë, kemi filluar edhe t’ju shmangemi, duke ia lënë fatin tonë stihisë!

Pikëpyetjet dhe pikeçuditëset e këtilla janë të shumta… Andaj, le të ndalemi së bashku, qoftë edhe për një çast, dhe t’ia parashtrojmë disa prej tyre, para së gjithash vetvetes, edhe atë, në shërbim dhe funksion të së vërtetës së pamohueshme e cila tingëllon: ‘të kuptuarit e problemit është gjysma e zgjidhjes’.

Në mesin e këtyre pikëpyetjeve dhe pikeçuditëseve të cilat imponohen natyrshëm dhe fuqishëm në biseda dhe diskutime të këtij lloji, dhe të cilat meritojnë një persiatje dhe qasje më serioze, e mbi të gjitha, një përgjigje të sinqertë, sado e hidhur të jetë, janë çështjet që vijojnë:

Si është e mundur që gjendja e përgjithshme politike dhe socio-ekonomike në “Shqipëritë” tona, vit pas viti, po shkon nga e keqja kah më e keqja?!

Si është e mundur që “Shqipëritë” tona, edhe pas gati dy dekadave e gjysmë – që nga erërat e para të demokratizimit – ende vazhdojnë të përpëliten në tranzicion të pakuptimtë dhe të pafundtë?!

Si është e mundur që, gjendja e shqiptarëve, edhe pas tri luftërave të njëpasnjëshme si dhe shumë sakrificave, shkon duke u bërë gjithnjë e më e vështirë (kjo,sidomos nëse kemi parasyshë faktorin kohë dhe ndikimin e tij në përmirësimin e gjërave)?!

Si është e mundur që, sa më shumë që politikanët tanë po e përsërisin refrenin e integrimit tonë në strukturat euro-atlantike, vendet tona aq më tepër shënojnë rënie në rang-listat botërore të cilat përshkruajnë nivelin e lirive dhe të mirëqenies së përgjithshme, me ç’rast ato vazhdimisht po rradhiten të parat prej nga fundi; duke ’konkurruar’ në këtë mënyrë gjithnjë e më tepër me shtetet e Unionit Afrikan!?

Si është e mundur që liderët politik të “Shqipërive” tona – përgjatë kësaj periudhe të demokratizimit – të mbijetojnë në skenën politike më gjatë se diktatorët e llojit ‘Kim-Jongianë’?!

Si është e mundur që kalvaret e shqiptarëve që i lëshojnë vatrat e tyre dhe kërkojnë azil dhe jetë më të mirë nëpër shtetet perendimore na i përkujtojnë gjithnjë e më shumë kohërat e ekzodeve dhe dëbimeve masive gjatë historisë së dhimbshme të këtij populli?!

Në anën tjetër, a thua vallë, pse, pas gjitha këtyre dështimeve të njëpasnjëshme, kjo popullatë ende vazhdon të votojë njerëz të dështuar dhe të korruptuar në gjitha aspektet; mandat pas mandati?!

A thua vallë, pse lejuam që këta politikanë t’i politizojnë dhe elektrizojnë aq shumë shoqëritë tona shqiptare, duke përçarë dhe armiqësuar edhe anëtarët e së njejtës familje?!

A thua vallë, pse lejuam që këto banda politike të llojit ‘mafi urbane’ të shkelin mbi të gjitha ‘shenjtëritë’ shqiptare, duke përfshirë këtu edhe gjakun e dëshmorëve?!

A thua vallë, pse lejuam që këto qarqe politike me elemente kriminogjene ta politizojnë dhe shkatërrojnë ‘boshtin kurrizorë’ dhe shpresën e vetme të çdo populli, e që është arsimi?!

A thua vallë, pse po i amnistojmë nga përgjegjësia dhe obligimet liderët dhe deputetët tanë, të cilët paguhen nga taksat tona, me qëllim që në na përfaqësojnë neve dhe interesat tona në qarqet vendim-marëse, ndërsa, në anën tjetër, ne vazhdojmë të kërkojmë dhe ëndërrojmë që faktori ndërkombëtar t’i zgjidh problemet dhe të ‘palarat’ tona?!

A thua vallë, si është e mundur që sheshet shqiptare të mbushen me numër më të madh njerëzish gjatë kampanjave zgjedhore, koncerteve apo evenimenteve sportive, ndërsa ky numër të jetë dhjetëra herë më i vogël kur janë në pyetje çështjet jetike dhe interesat madhore?!

A thua vallë pse, sa herë që ndodh ndonjë padrejtësi dhe sa herë që ushtrohet dhunë ndaj shqiptarëve, faqet e rrjeteve sociale mbushen plotë e përplotë me video, fotografi dhe simbolika patriotike, të cilat kulmojnë me “thirrje” dhe “kushtrim” për luftë, në momentin që, të njejtët “patriotë” ngurojnë dhe nuk marrin dot guximin që të protestojnë qoftë edhe para selive të partive të tyre politike; seli këto të cilat gjenden në mes të mëhallave tona?!

A thua vallë pse posedojmë aq memorie të shkurtër, sa që, fatkeqësitë dhe padrejtësitë që na bëhen i harrojmë brenda dy-tri ditëve; duke vazhduar të ‘kafshohemi’ nga e njejta ‘birë’?!

A thua vallë pse, të gjithë ‘qajnë dert’ dhe ankohen nga rritja e çmimeve dhe nga skamja, mirëpo assesi nuk marrin guximin që të protestojnë ndaj shkaktarëve të vërtetë të këtij mjerimi?!

A thua vallë, si mund të kuptohet ajo eufori e skajshme e shqiptarëve ndaj sportit, e në veçanti futbollit, në momentin kur ata, në vend se të investojnë në ndërtimin e kapaciteteve sportive, të njejtët, bëjnë harxhime marramendëse nëpër bastore sportive?!; bastore këto, të cilat, përpos ‘vrasjes’ së kapaciteteve sportive, ato ndikojnë në mbjelljen e përtacisë dhe pesimizmit si dhe në përhapjen e kulturës së ‘lojërave të fatit’ (duke përfshirë këtu edhe lojën me fatin dhe perspektivat e tyre jetësore).

A thua vallë, deri kur do të vazhdojmë që këto halle dhe derte tona t’i ‘qajmë’ nëpër oda dhe kafene, ndërsa, në anën tjetër, ngurrojmë që të ndërmarrim qoftë edhe një hap të vogël kah fillimi i zgjidhjes së këtyrë problemeve, të cilat sa vijnë e na ngulfasin?!

A thua vallë, deri kur do të flasim njërën dhe veprojmë tjetrën?! Dhe, deri kur do të mbetemi peng i së keqes, të cilën e krijojmë dhe kultivojmë me duart tona?!

Madje, deri kur do ta lejmë fatin tonë dhe të fëmijëve tanë në duart e atyre të cilët çdo ditë e më tepër po tallen me fatin dhe intelegjencën tonë kolektive?! Fundja, edhe çka tjetër duhet të i ndodhë këtij populli, e që të kuptojë se e ardhmja dhe perspektivat e tij janë të rrezikuara?!

A thua vallë nuk na mjaftoi gjithë ky diletantizëm politik, mjerim ekonomik, korrupcion endemik dhe degjenerim sistematik, e që të gjithë të ngrejmë zërin kundër kësaj te keqeje, si dhe të ndërmarrim qëndrim konkret ndaj së njejtës, nën maksimën ‘boll më’?!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re