Lulzim Basha e Monika Kryemadhi kanë dhënë një shfaqje trumfatore këtë të hënë, të sigurtë se më 25 prill do të fitojnë zgjedhjet.

Ata nënshkruan edhe një marrëveshje me 13 pika.

Paradoksi i madh i kësaj marrëveshje, është se ata nënshkruan që të garojnë të ndarë më 25 prill.

“Si Opozitë e Bashkuar, PD dhe LSI do të konkurojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI), për të realizuar një përfaqësim të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së Opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021”, thuhet në marrëveshjen e tyre.

Marrëveshja e tyre pra, s’ka të bëjë me 25 prillin, por me 26 prillin.

Ajo do të kishte sens, nëse bëhej për zgjedhjet e 25 prillit, jo për çfarë do të ndodhë pas 25 prillit.

Se pas 25 prillit, nuk dihet se çfarë ndodh dhe çfarë rezultati arrijnë.

Fjala vjen, pas 25 prillit, LSI mund të joshet nga Rama dhe të bashkëqeverisë me Edi Ramën.

Apo vetë PD, pasi prej kohësh flitet për një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Bashës, e cila si finale ka asgjesimin e LSI-së.

Kjo, pasi marrëveshja e sotme nuk është se ka vlerë ligjore, që i detyron PD dhe LSI të bashkëqeverisin pas 25 prillit.

Ajo ka thjesht vlerë morale. Por për moral, e kemi parë se sa duan t’ia dinë partitë tona këto 30 vite.

Pra, e gjitha ajo që pamë sot, ishte thjesht një shou, ndoshta për të bindur militantët e tyre se do të vijnë në qeveri.

Por më 25 prill, s’do të kenë lidhje me njëri-tjetrin dhe do të përdorin të gjitha metodat kush merr më shumë vota.

Të cilat pastaj, s’dihet se për do shkojnë.

(TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re