Presidenti Ilir Meta, u ka kërkuar autoriteteve që në muajin gusht, që të marrin masa për të përballuar situatën, në rast të një tërmeti të mundshëm, madje ka ofruar të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të kuptuar se cilat janë aftësitë e Shqipërisë për të përballuar një tërmet me fuqi të madhe.

Edhe pse tërmeti nuk parashikohet, autoritetet kanë mundësi të marrin masa për të përballuar një situatë të rëndë, si kjo e ditës së sotme, ku dhjetëra qytetarë kanë humbur jetë në mënyrë tragjike dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Përmes një letre, Meta u ishte drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për të kërkuar informacion mbi aftësitë e vendit për të përballuar një emergjencë të tillë.

Letra e Metës drejtuar autoriteteve në gusht:

Të nderuar,

Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.

Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:

Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?

Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?

Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.

Presidenti i Republikës

Ilir Meta

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re