Raporti përvëlues për varfërinë pohon “se sulmi sistematik mbi programin e mirëqënies sociale, do të lërë pa ushqim e kujdes shëndetësor, miliona amerikanë.

Donald Trump po detyron qëllimisht me miliona amerikanë të përballen me shkatërrim financiar, duke iu mohuar atyre në mënyrë mizore mbrojtjen ushqimore dhe masa të tjera elementare ndërkohë që mundëson lehtësi të mëdha për super-të pasurit. Paralajmërimi vjen nga agjencia monitoruese e OKB-së për pabarazinë.

Raportuesi special i OKB-së, Philip Alston, i cili vepron si një monitorues për varfërinë ekstreme në të gjithë botën, ka lëshuar kështu një kritikë përvëluese për gjendjen e Amerikës, sot. Trump po e çon vendin në “ndryshim dramatik drejtimi” që po shpërblen të pasurit dhe po ndëshkon të varfrit duke bllokuar aksesin madje, edhe ndaj domosdoshmërive më minimale.

“Ky është një sulm sistematik ndaj programit të mirëqënies sociale të Amerikës, që po minon rrjetën e sigurisë sociale për ata që nuk mund t’ia dalin dot vetë. Pasi nis të zhbësh çdo ndjesi të angazhimit qeveritar, shpejt shkon drejt mizorisë”, thotë Alston për gazetën britanike, “The Guardian”.

Miliona amerikanë që tashmë gjenden në vështirësi për të përballuar muajin, ndodhen në rrugën e “shkatërrimit”, thotë ai. “Nëse paketat ushqimore dhe aksesi në kujdesin shëndetësor hiqen, dhe ndërpriten subvencionet për strehim, atëherë ndikimi tek njerëzit që jetojnë në zgrip, do të jenë drastike”.

Kur i kërkohet të specifikojë “shkatërrimin”, Alston thotë: “Mohim i rëndë i ushqimit dhe pothuajse asnjë akses në kujdesin shëndetësor”.

Alston u bie zileve të alarmit në raportin e tij final të hetimeve për varfërinë ekstreme në Shtetet e Bashkuara që do të paraqitet në Këshillin e Lartë të të drejtave të Njeriut me seli në Gjenevë në fund të qershorit. Gjetjet e tij mbështeten në një tur vizitash që ai kreu në disa nga komunitetet më të margjinalizuara të Amerikës në dhjetor, që prej Los Anxhelosit, në zonat e varfra të afro-amerikanëve në Alabama, dhe në vendin xeheror të goditur fort në Virxhinian Perëndimore deri tek Puerto Riko i rrënuar nga uraganët.

Raporti llogaritet si një prej vlerësimeve më të ashpra të lidershipit të Trump në 16 muajt e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ka gjasa që raporti të nxisë debate në të gjithë skenën politike, po ashtu edhe globalisht, në lidhje me nxitjen e shpejtë të presidentit për rritjen e pabarazisë.

Ekonomisti, fitues i çmimit Nobel, Joseph Stiglitz tha për “The Guardian” se është thellësisht e rëndësishme që vëzhguesit ndërkombëtarë të flasin hapur për ndikimin Trump. “Kjo administratë trashëgoi një situatë të keqe me pabarazinë në Shtetet e Bashkuara dhe tashmë po u fryn flakëve dhe po e përkeqëson atë”. Ajo që është më shqetësuese është se Trump, në vend që të ndërmarrë masa për të zbutur problemin, po merr masa për ta rënduar atë”.

Në krye të kësaj liste masash, është reduktimi prej 1.5 triliard dollarësh zbatuar nga republikanët dhjetorin e kaluar që uli nivelin e taksimit të korporatave “A mund të besohet që në një vend ku jetëgjatësia po shkon në rënie, sidomos mes atyre me të ardhura të kufizuara, të jepen ulje taksash për miliarderët dhe korporatat duke lënë miliona amerikanë pa kujdes shëndetësor?”, thotë Stiglitz.

Edhe monitoruesi i OKB-së paralajmëron klasën e mesme amerikane të mos mendojë se është imune nga pasojat e kësaj politike, pasi sulmi i Trump “e lëndon shoqërinë si të tërë”.

Si një prej shoqërive më të pasura të botës, Shtetet e Bashkuara janë sipas përshkrimit të Alston “toka e kontrasteve të forta”. Një ndër katër miliarderë nga 2208 të tillë në botë ndodhen në Amerikë.

Në anën tjetër të spektrit, 40 milionë amerikanë jetojnë në varfëri. Më shumë se pesë milionë kalojnë një ekzistencë të privimit absolut që normalisht asociohet me botën në zhvillim.

Simptomat e një pabarazie të tillë tronditëse përfshijnë:

Amerikanët tashmë jetojnë më pak dhe me jetë më të varfër sesa qytetarët në demokraci të tjera të pasura.

Sëmundjet tropikale që lulëzojnë në kushtet e varfërisë janë në rritje.

Niveli i të burgosurve mbetet ndër më të lartët në botë.

Nivelet e regjistrimit të votuesve janë mes më të ultëve ndër kombet e industrializuara- 64 për qind e popullsisë në moshë votimi, krahasuar me 91 për qind në Kanada e Britani dhe 99 për qind në Japoni.

Statistikat flasin vetë. Në vitet 1980, Shtetet e Bashkuara dhe Europa qëndronin krah për krah në lidhje me pabarazinë – në të dyja rastet, një përqindëshi më i pasur fitonte rreth 10 për qind të të ardhurave kombëtare.

Shpejtësia u rrit në vitin 2017 dhe në Europë i njëjti njëpërqindësh arriti në 12 për qind të të ardhurave kombëtare. Por në Amerikë, e njëjta elitë tani gllabëron deri në 20 për qind.

Vitin e kaluar, FMN, një trupë që nuk njihet për kritika të mëdha ndaj vendeve që lënë në baltë të varfrit, tha: “Ekonomia e Shteteve të Bashkuara po mundëson standarde më të mira jetese vetëm për një pjesë të vogël. Të ardhurat shtëpiake kanë ngrirë, mundësitë e punësimit po keqësohen, perspektiva për të ecur përpara në zinxhirin shoqëror po dobësohet dhe fitimet ekonomike po rriten për ata që janë ndërkohë të pasur”.

Stiglitz thotë: “Është e qartë se kjo administratë është totalisht jo në sinkron me pjesën tjetër të botës së përparuar që po sheh sesi SHBA po ecën skiç në kaq shumë nivele. Për amerikanët që luftojnë kundër anormalitetit të administratës Trump, është zemërdhënëse të dinë se pjesa tjetër e botës po bëhet gjithnjë e më e aftë për të menaxhuar marrëdhëniet me SHBA post-Trump”.

Përgatiti: Juli Prifti –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re