Presidenti iranian Ebrahim Raisi njoftoi të hënën hakmarrjen për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani dy vjet më parë nga ana e SHBA-së, nëse ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump nuk mbahet përgjegjës.

Irani dhe aleatët e tij në Irak i bënë homazhe Soleimanit, ish-komandantit të njësisë elitare Al-Quds, një gjeneral që mbante status kulti në shoqërinë iraniane edhe para vdekjes së tij.

Soleimani u vra më 3 janar 2020, në një sulm me dron pranë aeroportit të Bagdadit, me urdhër të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

“Nëse Trump dhe ish-sekretari i Shtetit Mike Pompeo nuk gjykohen në një gjykatë të paanshme për aktin kriminal të vrasjes së gjeneralit Soleimani, ne do të hakmerremi për martirin tonë,” tha Raisi në një fjalim.

Irani shkroi një letër të dielën duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbajë përgjegjës Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, një vend që Teherani gjithashtu pretendon se qëndron pas atentatit.

Një ditë pas vrasjes, Shtetet e Bashkuara i thanë OKB-së se akti ishte vetëmbrojtje dhe se do të ndërmerrnin veprime shtesë në Lindjen e Mesme për të mbrojtur interesat amerikane “nëse ishte e nevojshme”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re