Policia ka zbuluar detaje lidhur me parandalimin e vrasjes në qytetin e Elbasanit.

 

 

Bëhet me dije se personi i armatosur në bulevardin e Elbasanit është një 23-vjeçar, tanimë i identifikuar dhe i shpallur në kërkim. 23-vjeçari u pikas teksa mbante të fshehur nën xhaketë një armë tip ‘Kallashnikov’, ndërsa ka hedhur armën dhe është larguar duke mundur t’i shpëtojë arrestimit.

 

Policia ka mundur të identifikojë të tjerë persona të përfshirë në këtë ngjarje, ndaj ka vënë në pranga një 43-vjeçar.

 

Gjatë kontrollit të policisë këtij të fundit i janë gjetur lëndë narkotike dhe municion luftarak në banesë.

 

Gjithashtu një tjetër person është shpallur në kërkim, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i 23-vjeçarit.

 

Në kërkim u shpallën Brikin Rusta dhe Klaudjo Sulmina, si dhe u vu në pranga shtetasi Boiken Bahiti. Dyshohet se shtetasi Brikin Rusta do të vriste shtetasin M. H.

 

 

“Strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Elbasan, falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas i pajisur me armë zjarri, kërkonte të vriste një 24-vjeçar të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve (me të cilin ishte konfliktuar para disa ditësh), kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e kësaj ngjarjeje kriminale.

 

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Plani”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në qytetin e Elbasanit, me qëllim parandalimin e kësaj ngjarjeje, si dhe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit që dyshohet se kishte planifikuar të kryente vrasjen.

 

Shtetasi B. R., 23 vjeç, banues në Elbasan, në pamundësi për të realizuar planin e tij, si rezultat i presionit policor në terren, në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar. 23-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.

 

Policia njofton se po punon për arrestimin e të shpallurve në kërkim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re