Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme (2 prill) në Gjirokastër.

Shtetasi Leonidha Sinani ka qëlluar me armë gjahu, drejt banesës ku ishin familjarët e tij.

Policia ka arrestuar  47-vjeçarin dhe ka sekuestruar armën e gjahut. Si pasojë e të shtënave, për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.

Njoftimi i policisë:

Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti në familje, që mund të kishte pasoja të rënda për jetën. Për motive të dobëta, qëlloi me armë gjahu, në drejtim të banesës ku kishte familjarët, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, mundëson arrestimin në flagrancë të 47-vjeçarit. Sekuestrohet arma e gjahut me të cillën qëlloi ky shtetas.

Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm, për motive të dobëta, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij, në zonën e quajtur “Ura e lumit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër organizuan punën dhe mbërritën në vendin e ngjarjes, për të arrestuar shtetasin përgjegjës.

Si rezultat, u bënë të mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti, si dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit L. S., 47 vjeç, banues në Gjirokastër.

Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut me të cilën qëlloi i arrestuari. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re