Mëngjesin e djeshëm, një i dënuar është arratisur nga burgu i Shënkollit në Lezhë. Burgjet bënë me dije se kanë konstatuar mungesën e tij vetëm në momentin kur është bërë ndërrimi i turneve, ndërkohë Policia e Shtetit është vënë në ndjekje të tij.

Përveç kontrolleve të imtësishme nëpër vendet ku dyshohet që mund të strehohet, policia kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve duke hedhur shpërblimin prej 10 mijë eurosh kush jep informacion për vendndodhjen e tij, por deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme u bë me dije se nuk kishte asnjë gjurmë të shtetasit Daut Laze, 49 vjeç, i cili përpos të tjerave, është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Drejtoria e Burgjeve ka theksuar se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe se është arrestuar që prej vitit 2021. 49- vjeçari nga Çorovoda, por me banim në Tiranë, mësohet se ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve në spitalin e burgut të Shënkollit. I dënuari me mjekim të detyruar, ka mundur të largohet nga rrethimi i institucionit të posaçëm mjekësor brenda burgut, duke kapërcyer murin.

Mungesa e tij në dhomë u vu re vetëm në orët e para të mëngjesit të së martës gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit. Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se ky shtetas me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme, të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për t’u larguar nga rrethimi i vendit të vuajtjes së dënimit.

Analiza e kamerave të sigurisë do të zbulojë nëse në kullat e rojës ka pasur efektivë të sigurisë së burgjeve, apo, nëse në arratinë e të dënuarit mund të ketë persona që kanë bërë një syqorr. Për një analizë të plotë të situatës mbi nivelin e sigurisë në këtë burg, në Shënkoll mbërriti Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose.

Daut Laze është arrestuar më 16 nëntor të vitin 2021 për dhunë në familje. Në 4 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi për të “Mjekim të detyruar në një institucion spitalor”, dënim të cilin po e vuante në burgun e Shënkollit, aty ku u zhvendosën të gjithë të dënuarit me probleme të shëndetit mendor pas mbylljes së Zaharisë për kushte çnjerëzore.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko