Anëtarët e komunitetit kurd në Paris zhvilluan një marshim të heshtur për të kujtuar viktimat që u vranë pas një sulmi me armë zjarri. Autoritetet franceze thonë se personi i cili dyshohet se vrau tre pjestarë të komunitetit kurd e plagosi tre të tjerë, u ka thënë hetuesve, se ai ishte nisur me synimin për të vrarë imigrantë ose të huaj, e më pas veten.

 

 

Anëtarët e komunitetit kurd në Paris zhvilluan një marshim në heshtje, për të kujtuar tre viktimat që u vranë pas një sulmi me armë zjarri në një qendër kulturore kurde, në kryeqytetin francez. Një 69-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për sulmin dhe po mbahet në paraburgim. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, për vrasje dhe tentativë për vrasje. I dyshuari u tha hetuesve se ai synonte në mënyrë specifike të vriste emigrantë ose të huaj dhe më pas kishte planifikuar të vriste veten. Ai u kishte thënë gjithashtu atyre se kishte një urrejtje “patologjike” ndaj të huajve jo-evropianë.

 

 

69-vjeçari u mbajt për një kohë të shkurtër nën kujdesin psikiatrik, por më pas u zhvendos në paraburgim ndërsa të hënën doli para gjykatës. “Këto vrasje kanë karakter politik e terrorist. Askush nuk duhet të presë që ne të besojmë versionin se ky është një akt i izoluar”, thotë Agit Polat, zëdhënës i Këshillit Demokratik të Kurdëve në Francë. “Për mendimin tim, nuk është një akt i izoluar. Mendoj se ishte e përgatitur mirë dhe e drejtuar kundër kurdëve. Shumë fakte e tregojnë këtë. Ai ishte në burg dhe dhjetë ditë më vonë kishte një armë dhe e dinte ku dhe në çfarë ore të shkonte”, thotë një protestues 24-vjeçar. “Çdo ditë pyesim veten se kur dikush do të qëllojë mbi ne sërish. Dhjetë vjet më parë, ne u sulmuam në zemër të Parisit dhe dhjetë vjet më vonë përsëri… në një qendër kulturore që monitorohet nga autoritetet franceze. Pse nuk u bë asgjë për të na mbrojtur?!”, thotë 22-vjeçari Dagan Dogan.

 

 

Prokurorët kanë bërë të ditur se kanë kontrolluar kompjuterin dhe telefonin e autorit të sulmit, por nuk kanë gjetur ndonjë lidhje të konfirmuar të tij me grupe që përfaqësojnë ideologji ekstremiste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re