“Unë dhe kolegët e mi sot kërkojmë ndryshimin e sistemit, dhe po nuk na mbështetët ju, do ta zgjidhim ne me listat tona te hapura duke i dhënë mandatin me konsensus atij që ka marrë më shumë vota në zonën që mbulon brenda një qarku. Sot, unë po kërkoj veç një të drejtë që i është mohuar shqiptarëve që nga viti 2008, që është ajo e zgjedhjes së individit dhe jo listës së servirur nga partia”.

Kështu deklaroi deputeti i opozitës, Arlind Çaçani gjatë fjalës së tij në Parlament, duke folur mbi raporton e kreut të KQZ-së në Parlament. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se  “jam gati të luftoj sot për këtë të drejtë, dhe unë bashkë me kolegët e mi do të lidhim një besë, do të hapim listat tona e do të jem i pari që do t’ia lë mandatin fituesit pavarësisht renditjes ne liste’.

“Ju keni qeverinë, ju keni pushtetin, ju keni infrastrukturen dhe strukturat, ju jeni ata që keni 30 vjet në politikë dhe prapë ju jeni ata që nuk dëshironi të hapni listat, ju jeni ata që nuk dëshironi të ndryshoni sistemin zgjedhor. Përse keni frikë të përballeni me votuesin ne emrin tuaj? Apo keni hall se nuk fitoni?  Reforma në drejtësi, depolitizimi i administratës zgjedhore, rekomandimet e OSBE/ODHIR-it nuk mund të qëndrojnë si kushte më vete pa ndryshimin e sistemit zgjedhor që i siguron votën e lirë qytetarëve shqiptarë.  Ajo është parakushti kryesor në lidhje me hapjen e negociatave, dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe si i tillë, duhet të jetë qëllimi kryesor i asaj tryeze politike dhe i atij Komisioni për Reformën Zgjedhore”, theksoi deputeti i opozitës parlamentare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re