Jorida Tabaku, e cila guxoi të përmendë me emra oligarkët shqiptarë nuk ka ndërmend të tërhiqet, pavarësisht se kryeministri e ka hedhur në gjyq bashkë me kolegët e tjerë të PD-së. Platforma antikorrupsion e liderit Lulzim Basha e prezantuar në 2013, është një shtysë për Jorida Tabakun për të mos ndalur denoncimet ndaj korrupsionit dhe krimit të veshur me pushtet. Përmes “Gazeta Shqiptare”, ajo shpreh bindjen se projekti politik i PD-së garanton një qeveri për shqiptarët dhe jo për oligarkët. Ish- deputetja e PD-së bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama për krizën e rëndë në të cilën ndodhet vendi. Ajo paralajmëron se sa kohë z.Rama nuk bie dakord me kushtet e Bundestagut gjerman, Shqipëria do të ketë situatë të stanjacionit politik.

“Për sa kohë ai nuk bie dakord me kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe që janë në frymë dhe letër, ajo çfarë opozita kërkon, ne do kemi këtë situatë stanjacioni politik. Vullneti politik është zgjidhja. Vullneti politik për të pranuar ndryshimin dhe votën e lirë, vullneti politik për t’i ndarë nga krimi, vullneti politik për të ndaluar krimin, vjedhjet e korrupsionin”, – shprehet ish-deputetja. Si zgjidhje, zj.Tabaku përmend hartën e dialogut me 9 pikat e vendosura nga Gjermania si dhe propozimet e opozitës. Ish-deputetja demokrate thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita nuk mund të presë zgjidhje nga ai që e shkaktoi krizën. “Nuk mund të presim që ai që e ka krijuar këtë situatë, të jetë zgjidhja për këtë situatë!”, – shprehet Tabaku.

Jorida Tabaku sfidon Edi Ramën teksa shprehet se me qeveri tranzitore asnjanëse nuk do ta ketë të lehtë që të mundë opozitën. Madje, ajo shprehet se opozita është gati të ndeshet në një lojë ku luhet me rregulla dhe arbitër të paanshëm. Përfaqësuesja e lartë e PD-së akuzon se parlamenti aktual është zëri i krimit të organizuar dhe blerjes së votave. Ndaj sipas Tabakut, vendi kthehet në normalitet vetëm përmes zgjedhjeve një hershme qendrore dhe vendore. “Rotacioni politik arrihet me zgjedhje, në rastin tonë të parakohshme. Vendit i duhet ky rotacion politik. Këtu nuk bëhet fjalë për të hequr një palë e për të vënë një palë tjetër. Kemi një projekt politik që ia kemi shpalosur shqiptarëve në ekonomi dhe do vazhdojmë gjithashtu ta shpalosim në fusha të tjera”, – thotë Tabaku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re