Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, është shprehur se mazhoranca e ka kthyer parlamentin në një “bunker ligjor të veprimtarisë mafioze të qeverisë”.

Duke folur në studion e News 24 në lidhje me aksionin e fundit të deputetëve të opozitës, ai u shpreh se mazhoranca socialiste ka rrëmbyer debatin dhe nuk njeh asnjë të drejtë.

“Do jem pjesë e aksionit opozitar, nuk është gjë për t’u fshehur. Edhe jam dënuar më herët në atë sallë sepse mazhoranca e gjykon që duhet të përjashtojë deputetët e opozitës. Kemi një parlament të kthyer në bunker ligjor të veprimtarisë mafioze të qeverisë.

Aty ka kaluar ligji për portin e Durrësit, shembjen e teatrit, etj. Nuk ka më asnjë funksion parlamentar. Unë kam propozuar një projekt ligj për uljen e çmimit të karburantit para një viti. Ky ligj u bllokua dhe sot e kësaj dite nuk është votuar. E bëjnë me qëllim.

Kulmi është se ky parlament nuk zbaton as vendimet e Gjykatës Kushtetuese. GJK ka hequr detyrimin për lejen e tubimeve, të cilat duhet thjesht të njoftohen me shkrim. Si mund t’i kundërpërgjigjesh mafias, përveç goditjes? Nuk është se ka një moment debati, por ata e kanë rrëmbyer dhe nuk njohin asnjë të drejtë.

Ato koncesionet që janë para drejtësisë për korrupsion janë vendosur në atë parlament dhe ne i kemi kundërshtuar. Historitë e krisjeve me opozitën janë histori kot. Unë dhe Bylykbashi nga PD ndodheshim në një tryezë me OSBE për votën e emigrantëve”, tha Vasili.

Sa i përket raporteve me grupin e Rithemelimit, Vasili u shpreh se nuk ka asnjë krisje mes tyre në opozitë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re