Ish-kryeministri Sali Berisha shprehet se ditën e sotme gjatë seancës plenare, qytetarët do të shohin çdo skenar të asaj që ai e quan betejë parlamentare të opozitës.

Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha është shprehur se Parlamenti është rrethuar me njësi speciale, duke iu referuar forcave të shumta që e rrethojnë atë pasi deputetët e opozitës paralajmëruar që nuk do të lejoni zhvillimin normalisht të seancës.

“Pse e gjitha kjo?! – Sepse ne po kërkojmë të drejtat tona kushtetuese”, theksoi ai.

Ndër të tjera Berisha tha se “Edi Rama, pasi e pa që opozita nuk do të jetë më, nuk do të mund të manipulohet më, do të mbrojë të drejtat e saj, ka shpalosur këtë strategji me të cilën e thellon vendin çdo ditë në krizë”.

Sali Berisha: Parlamenti është vendosur nën shtetrrethim, është vendosur në shtetrrethim! Ky është si të ishte parlamenti i Koresë së Veriut, parlamenti i Bjellorusisë , parlamenti i vendeve diktatoriale. Është i rrethuar nga të gjitha anët nga forca të shumëllojta të cilat dëshmojnë frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga opozita e pathyeshme, nga opozita e cila po mbron Kushtetutën dhe për rrjedhojë interesat e çdo qytetari shqiptar.

Ndaj ju lutem, dilni e filmoni nga të katër anët dhe shihni, shikoni çfarë ndodh, shikoni se si funksion parlamenti i Edi – Linda Ramës, Lindës së Parlamentit këtu, më falni. Në fakt nuk e di se si është puna, po të ngjashme janë në shumë aspekte.

Ju e shihni çfarë dite është kjo! Pse e gjitha kjo? Sepse ne po kërkojmë të drejtat tona kushtetuese. Çdo skenar, ju do të shihni sot.

Edi Rama, pasi e pa që opozita nuk do të jetë më, nuk do të mund të manipulohet më, do të mbrojë të drejtat e saj, ka shpalosur këtë strategji me të cilën e thellon vendin çdo ditë në krizë.

Por i them këtu, nuk ka forcë në botë, ju e dëgjuat besoj, që kanë planifikuar të përdorin edhe ushtrinë, njëlloj me skenarin e vitit 1990-91. Le të përdorë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta, nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtat e tij.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re