Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) kërkuan që Rumania dhe Bullgaria të përfshihen në zonën Schengen, zonën e udhëtimit pa viza në Evropë.

Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të PE-së në Strazburg, u miratua me 547 vota pro dhe 49 kundër projektrezoluta lidhur me pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Schengen.

Në projektrezolutën e miratuar, kërkohet nga Këshilli Evropian që të marrë vendim urgjent që dy vendet të bashkohen në zonën Schengen deri në fund të vitit 2022. Në rast se merret vendim në këtë drejtim bëhet e ditur se mund të hiqen kontrollet kufitare që zbatohen në kufijtë e brendshëm të Evropës për shtetasit e këtyre dy vendeve dhe vihet në dukje se këto kontrolle shkaktojnë “diskriminim”.

Deputetët e PE-së kanë vënë në dukje se Bullgaria dhe Rumania kanë përmbushur kushtet për t’u përfshirë në Schengen dhe duke kritikuar se vendet e BE-së nuk kanë vendosur ende të ftojnë dy vendet në zonën Schengen ata kanë mbrojtur idenë që kjo dëmton Tregun e Vetëm Evropian.

Nga 27 anëtarët e BE-së, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Administrata e Qipros Jugore Greke dhe Irlanda nuk ndodhen në zonën Schengen. Ndërsa Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni ndodhen brenda zonës Schengen pavarësisht se nuk janë anëtare të BE-së.

Deputetët e PE-së, edhe në vitet 2018, 2020 dhe 2021 kanë miratuar projektrezoluta që kërkojnë përfshirjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në Schengen.

Në mënyrë që një vend të hyjë në Schengen, zonën e udhëtimit pa viza, është e nevojshme që vendet e BE-së të marrin një vendim unanim.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re